11.5 C
Tiranë
HomeShëndetiZhurmat në vesh/ 8 këshilla si mund të parandalohen

Zhurmat në vesh/ 8 këshilla si mund të parandalohen

Krijimi i zhurmave në vesh është një ndër shqetësimet e shpeshta që shfaqet gjatë përditshmërisë tonë. Ekspertët e shëndetit  thonë se në përgjithësi këto zhurma nuk janë tregues i problemeve të rënda shëndetësore. Mjekja Ilda Xhelili tregon rastet në të cilat këto zhurma konsiderohen shqetësuese, rrethanat që çojnë në formimin e tyre, si dhe këshillat që mund të ndjekim gjatë përditshmërisë për reduktimin dhe parandalimin e pasojave të tyre. Thelbësore në trajtim është njohja dhe evidentimi i shkakut që ka çuar në krijimin e zhurmave në vesh.

Çfarë janë zhurmat në vesh dhe kur duhet t’i konsiderojmë shqetësuese për shëndetin?

Pothuajse të gjithëve na ka rënë rasti të përjetojmë në forma të ndryshme zhurma në veshë. Zakonisht, zhurmat e veshëve janë më tepër shqetësime personale, sesa probleme serioze shëndetësore. Në raste të rralla, zhurmat e veshëve mund të jenë shenjë e problemeve shëndetësore që kërkojnë vëmendje të veçantë. Disa zhurma konsiderohen normale por, shumica e njerëzve nuk janë në dijeni të këtyre zhurmave, për shkak të sfondit të zhurmave të mjedisit të jashtëm. Nëse do të hynim në një kabinë të papërshkueshme nga tingujt, atëherë do të bëheshim të vetëdijshëm për zhurmat natyrore të trupit tonë. Gjithashtu, çdo gjë që bllokon zhurmën e sfondit të jetës së përditshme, siç mund të jetë për shembull dylli në veshë, infeksionet e veshit, trupat e huaj në veshë, mund të na qartësojë në lidhje me zhurmat natyrale që prodhon trupi ynë. Por, përveçse zhurmave normale, trupi ynë mund të prodhojë edhe zhurma jo të zakonshme në rrethana të veçanta.

Cilat janë këto rrethana që ndikojnë në prodhimin e zhurmave të veshëve?

Sikundër e theksuam edhe më lart janë një sërë rrethanash që mund të bëhen shkak për shfaqjen e këtyre zhurmave. Ndër to, do të përmendim infeksionet e veshit, sëmundjet e kockave të veshit të mesëm, ose të cipës së veshit (membrane timpanike), dëmtimi i nervit të dëgjimit që është mjaft i shpeshtë në moshat e vjetra, ekspozimi ndaj zhurmave (armët e zjarrit, punonjësit e radios, pjesëmarrja në koncerte live, etj). Një tjetër rrethanë që ndikon është edhe Sindromi Menier (i quajtur ndryshe dhe sindromi i veshit të mesëm që shoqërohet me marrje mendsh edhe në gjendje qetësie). Në raste të rralla, tringëllima në veshë mund të jetë simptomë e një problemi të rëndë shëndetësor (tumoret e trurit, ose aneurizmat, zgjerimet e enëve të gjakut në kokë).

Si diagnostikohet tinitusi?

Për të diagnostikuar tringëllimat në veshë, së pari mjeku specialist kryen ekzaminimin fizik të pacientit dhe pyet mbi historinë e sëmundjes (anamneza) duke përfshirë nëse tringëllima në veshë është e vazhdueshme, me ndërprerje ose pulsuese (si rrahjet e zemrës), ose nëse është e lidhur me humbjen e dëgjimit, apo me humbjen e ekuilibrit. Në rastin e tringëllimave të pashpjeguara, zakonisht si fillim bëhet audiograma për të vlerësuar shkallën e dëgjimit. Sipas rastit kryhen teste për nervat e dëgjimit, por edhe skaner, apo edhe rezonanca magnetike. Këto të fundit janë kryesisht të domosdoshme për të përjashtuar tumoret e trurit. Në çdo rast është mjeku specialist ai që përcakton se cilin prej këtyre ekzaminimeve duhet të kryeni.

Si trajtohet tinitusi?

Trajtimi i zhurmave në veshë do të varet nga shkaku themelor dhe mund të përfshijë medikamente të ndryshme. Në shumë raste, tinitus mund të zhduket edhe vetë pa mjekim, por e rëndësishme është që pacienti të mësojë ta përballojë atë. Në disa raste mund të përshkruhen edhe medikamente, por për shumicën e individëve nuk ka një zgjidhje të qartë. Medikamentet shpesh mund të përdoren për të trajtuar efektet psikologjike të ankthit, ose depresionit që mund të shoqërojnë tringëllimën e veshëve.

Çfarë rekomandohet për të ndihmuar në lehtësimin e zhurmave në veshë?

Disa këshilla mund të jenë të dobishme për shumë njerëz që vuajnë nga tinitus. Këshilla që kanë të bëjnë kryesisht me stilin e përditshëm të jetesës, siç janë shmangia e faktorëve të rrezikut, si përshembull lënia e duhanit, reduktimi i konsumit të kripës, çokollatës, të cilat favorizojnë krijimin e këtyre zhurmave. Për raste të caktuara mjeku mund të rekomandojë përdorimin e zinkut, apo vitaminave B-kompleks. Të kujdesshëm duhet të tregoheni edhe kur përdorni tamponët për të pastruar veshët, kur punoni në ambiente të zhurmshme duhet të përdorni kufje mbrojtëse. Veçanërisht të rinjtë duhet të jenë të kujdesshëm me volumin e zërit në rast se dëgjojnë muzikë me anë të kufjeve. Përdorimi i barnave duhet të bëhet vetëm sipas rekomandimeve të dhëna nga mjeku specialist. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara një sërë këshillash se duhet të veproni për të reduktuar shqetësimet që vijnë nga zhurmat në veshë.

Këshillat që duhet të ndiqni:

  1. Sipas studimeve, rekomandohet lënia e duhanit, shmangia e kripës në ushqime dhe e kafeinës (sa më pak kafe, çokollata, coca-cola). Alkooli, nikotina dhe produktet e duhanit mund të zvogëlojnë rrjedhjen e gjakut në strukturat e veshit (dhe jo vetëm), duke ndihmuar kështu në dëmtimin e dëgjimit.
  2. Në disa raste mund të jetë i dobishëm përdorimi i zinkut dhe i vitaminës B-kompleks. Gjithashtu duhet të theksoj se në raste të caktuara zhurmat në veshë mund të parandalohen duke shmangur dëmtimet e dëgjimit.
  3. Kujdes duhet treguar kur përdoren tamponët me pambuk për pastrimin e veshëve. Normalisht ato nuk rekomandohen pasi shtyjnë dyllin e veshëve në drejtim të membranës dhe favorizojnë  krijimin e zhurmave.
  4. Nëse punoni në vende që ka zhurma të pashmangshme, duhet të përdorni kufje mbrojtëse për veshët. Rregullat e sigurisë në punë përfshijnë edhe mbrojtjen e dëgjimit. Edhe personat që praktikojnë gjuetinë rekomandohen të përdorin kufje mbrojtëse për veshët dhe jo t’i mbushin veshët me pambuk.
  5. Për të rinjtë që dëgjojnë vazhdimisht muzikë me kufje në veshë, rekomandohet të mbahet volume I zërit në një nivel të arsyeshëm.
  6. Është gjithashtu e këshillueshme ruajtja e një peshe trupore të shëndetshme. Pesha e tepërt mund të shkaktojë presion të lartë të gjakut (hypertension arterial ), i cili në vetvete mund të çojë në rritje të ndjeshmërisë ndaj zhurmave, por edhe tringëllima në veshë. Prandaj është e rëndësishme të mbani një dietë të shëndetshme dhe të ushtroheni fizikisht rregullisht, gjithmonë në përshtatje me kushtet individuale shëndetësore. Në presionin e lartë të gjakut ndikon edhe sasia e madhe e kripës e përdorur gjatë ushqyerjes. Prandaj janë të përshtatshme dietat me sa më pak kripë (ndoshta edhe pa kripë fare).
  7. Edhe nga pikëpamja psikologjike, mundohuni të impononi veten që të mos fiksoheni tek zhurmat në veshë. Sa më shumë të përqendroheni tek zhurma, aq më e fortë do të perceptohet ajo.
  8. Mundohuni të kryeni aktivitete të tjera ndërkohë që perceptoni zhurmat, si për shembull të zhyteni në lexime interesante, apo të shihni filma që ju tërheqin, pse jo edhe të ushtroni sporte të ndryshme për të larguar vëmendjen nga problemi juaj.

Zhurmat në vesh mund të krijohen nga:

  • Infeksionet e veshit.
  • Sëmundjet e kockave të veshit të mesëm ose të cipës së veshit (membrane timpanike).
  • Dëmtimi i nervit të dëgjimit që është mjaft i shpeshtë në moshat e vjetra.
  • Ekspozimi ndaj zhurmave (armët e zjarrit, punonjësit e radios, pjesëmarrja në koncerte live, etj).
  • Sindromi Menier ( i quajtur ndryshe dhe sindromi i veshit të mesëm që shoqërohet me marrje mendsh edhe në gjendje qetësie).
  • Në raste të rralla, tringëllima në veshë mund të jetë simptomë e një problem të rëndë shëndetësor ( tumoret e trurit ose aneurizmat, zgjerimet e enëve të gjakut në kokë).
Qëndro me ne
14,000FansLike
10,563FollowersFollow
Më të lexuarat
Të tjera

Lini një koment