Zgjedhjet në Kroaci/ Konfirmohet fitorja e ish kryeministrit Andrej Plenkoviç

0

Për të formuar një shumicë të re qeverisëse duhen të paktën 76 vota të ligjvënësve të sapozgjedhur.

Në Zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare të zhvilluara dje në Kroaci, rezultatet e para kanë nxjerrë fitues Partinë e qendrës së djathtë Bashkimit Demokratik (HDZ), e cila duket se ka siguruar një fitore të madhe.

Deri tani Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (SEC) ka përpunuar të dhënat e rreth 69 për qind e vendvotimeve dhe sipas rezultateve HDZ pritet të ketë 66 nga 151 vendet në Parlamentin e ri, dhe koalicioni i partive të qendrës së majtë e udhëhequr nga Partia Social Demokrate (SDP) ) 41 vende.

Sipas këtyre të dhënave jo të plota, Lëvizja Atdhetare e Mirosllav Skora ka siguruar 15 vende në Parlament, koalicioni i partive të majta dhe të gjelbërta gjashtë vende, ndërsa Partia Popullore kroate 1 vend. Koalicioni i partive liberale ka siguruar 3 mandate.

Për të formuar një shumicë të re qeverisëse duhen të paktën 76 vota të ligjvënësve të sapozgjedhur.

“Një rezultat i tillë për HDZ, nuk është vetëm i shkëlqyeshëm, por një detyrim”, tha kreu i HDZ-s, njëherësh ish kryeministër i vendit, Andrej Plenkoviç para përkrahësve.

Fushata elektorale u mbizotërua nga debatet mbi koronavirusin. Kroacia ka regjistruar deri tani 113 vdekje dhe 3,100 të infektuar, teksa në dy javët e fundit ka pasur një ngritje graduale të rasteve me koronavirus. Masat e izolimit dhe një rënie e të ardhurave nga turizmi veror pritet të shkaktojnë një tkurrje prej 10 për qind në ekonomi.

Leave a Reply