29.7 C
Albania
Mon, 21 June, 2021

Vrasja e të riut në Tiranë, miqtë u vonuan duke pastruar skenën e krimit. Ata e nisën me makinë private dhe…

Marius Dema, 28- vjeçari që dyshohet se qëlloi për vdekje shokun e tij Mehmet Qama, pritet të dalë sot para Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë, i akuzuar për “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Burime nga Prokuroria thanë se në kërkesën e dorëzuar në Gjykatë, është kërkuar që të caktohet masa e “arrestit me burg”.

Përveç autorit të dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit Mehmet Qema, në rrugën “5 Maji”, në Tiranë, i cili u vetëdorëzua i pari në Polici, deri në mbrëmje, të martën, u dorëzuan edhe të gjithë miqtë e tjerë të viktimës e autorit, që kishin qenë të pranishëm në ngjarje. Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan 5 persona, një u procedua në gjendje të lirë, ndërsa dy të tjerë u lanë të lirë pasi nuk rezultuan të përfshirë në krim.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në përfundim të veprimeve të para hetimore në lidhjen me ngjarje e ndodhur në rrugën “5 Maji” bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: Marius Dema, 28 vjeç, për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”; Erlind Peka, 25 vjeç, Blerim Hoti, 28 vjeç, Frenkli Myftari, 29 vjeç dhe Xhuljano Koçi, 19 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”; Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi M. H., 23 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”

DOSJA HETIMORE

Tavolina ku ishte ulur Mehmet Qema, kishte pije energjike dhe tavlla duhani. Në çastet e fundit të jetës të të riut nga Kruma e Hasit, ai shfaqet duke bërë me shenja refuzuese nga shoku i tij, i cili qëndron në këmbë dhe në dorë mban një armë, që herë pas herë ia drejton viktimës. Në tavolinë së bashku me të janë Erlin Peka, Blerim Hoti, Frankli Myftari dhe Xhuliano Koçi. Me përjashtim të Marius Demës, nën akuzë për vrasje, katër të rinjtë e mësipërm dyshohen për moskallëzim krimi dhe fshehje të së vërtetës, pasi sipas burimeve policore njëri prej tyre largoi gëzhojën, ndërsa tjetri fshehu pistoletën. Policia përshkruan se si viktima u transportua drejt spitalit me një “Mercedez Benz”, me targat “AB… MD”, një mjet që u braktis në afërsi të spitalit nga të rinjtë që më pas u shpërndanë. “Viktima u identifikua nga patenta që kishte në xhep”, u shpreh një agjent krimesh, për “Gazetasi.al”. Ndërsa në procesverbal u shkrua më tej se ai kishte si shenjë dalluese një unazë me inicialet Q. M. 925 me një shqiponjë dykrenare.

E HIPEN NE MAKINE

E.P., është njëri ndër personat qe gjendej në tavolinën ku ndodhi krimi. “Isha duke ndenjur me shokët dhe në një moment hyra në banak për t’i bërë një ekspres nuses dhe mbas shpinës dëgjova krismë. Kur u ktheva, të gjithë ishin të hutuar dhe të traumatizuar dhe asnjëri nuk po e ndihmonte”, dëshmon në Polici E.P.. “E kapa nga krahët për ta futur në makinë, por asnjëri nga të pranishmit aty, për shkak të traumatizmit, nuk po më ndihmonte”, thotë më tej i riu. Ai kujton se kur janë nisur drejt spitalit, së bashku me të në makinë gjendej edhe një person me mbiemrin Çekrezi dhe se si më pas e zbriti nga makina të plagosurin dhe e hipën në autoambulancë. “Makinën, me të cilën solla Mehmetin, e braktisa përpara Spitalit të Burgut dhe u largova më pas me makinën time”, dëshmon njëri nga shokët.

FSHEHJA E PROVAVE

Dy prej miqve të viktimës, Frenkli Myftari dhe Xhuliano Koçi, fshinë gjurmë të krimit. 28- vjeçari Myftari shfaqet duke larguar nga skena e krimit një gëzhojë arme zjarri, ndërsa Koçi dyshohet se hoqi prej andej pistoletën, me të cilën u vra Mehmet Qema. Së bashku me ta, edhe një i tretë, i quajtur Marius Halili, i cili është proceduar në gjendje të lirë, pastroi lokalin duke hedhur mbeturinat në kosh. “Këtë gjë ma kërkoi pronari”, u justifikua në Polici i riu, i cili nuk dha asnjë detaj se çfarë gjeti mbi tavolinë. Mehmet Qema, 27-vjeçari i sapokthyer nga Britania e Madhe mbeti i vrarë mbrëmjen e së hënës, pak para mesnate në Tiranë, nga një plumb në gjoks. Ai ishte vetë i gjashti në një tavolinë me shokët e tij, në një lokal në rrugën “5 Maji”, kur njëri prej tyre i drejtoi armën dhe e shkrepi. Nga pamjet e kamerës së sigurisë, duket momenti kur Mehmet Qema, i bën me shenjë shokut të tij që ishte në këmbë, që të largonte pistoletën që i kishte drejtuar. E megjithatë, Marius Dema, 28 vjeç, vazhdon me lojën, derisa arma shkrepet dhe e vret shokun e tij.

Artikuj të ngjashëm

Lini një përgjigje

Qëndro i lidhur

11,003FansaPëlqeje
10,700NdjekësitNdiq
- Advertisement -

Artikujt e fundit