8 C
Albania
Sun, 18 April, 2021

Si u vra 32-vjeçari me dy emra sapo zbriti nga makina/ Dyshohet që shkak për këtë atentat të jetë…

Një 32-vjeçar ka mbetur i vrarë në një atentat që persona të paidentifikuar i bënë pasditen e djeshme në qytetin e Durrësit.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 17:20 në Lagjen nr. 16 të qytetit bregdetar. Sipas Policisë, viktima është identifikuar si Jetmir Bregu, 32 vjeç, i cili mësohet se ka mbajtur edhe një emër tjetër me gjeneralitete Ilir Kuçi.

Sipas burimeve nga Policia, mësohet se 32-vjeçari është qëlluar me kallashnikov, ku një plumb e ka prekur në kokë, një në gjoks dhe një në këmbë, plagë të cilave nuk mundi t’u mbijetonte.

Burime nga grupi i hetimit thanë për gazetën “Panorama.al” se ngjarja dyshohet të ketë si motiv konflikte të mbartura të 32-vjeçarit, kjo nisur edhe nga ndryshimi i emrit nga Ilir Kuçi në Jetmir Bregu. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe krahas grumbullimit të provave që mund t’i çojë drejt identifikimit të autorëve, shoqëroi në komisariat mbi dhjetë persona, mes të cilëve dëshmitarë dhe individë që mund të kenë lidhje apo dijeni për ngjarjen.

ATENTATI

Breshëria e vazhdueshme e kallashnikovit tronditi Lagjen 16 të qytetit, ndërkohë që shënjestra ishte 32-vjeçari me dy emra Jetmir Bregu (Ilir Kuçi). Ky i fundit sapo kishte ndaluar makinën në afërsi të një lokali të lagjes dhe në momentin që po dilte nga mjeti u qëllua me breshëri kallashnikovi nga persona që po e ndiqnin me një makinë.

32-vjeçari mori disa plagë nga plumbat që u derdhën mbi të, por rezistoi të mbante frymën gjallë deri në momentet që zbriti në Spitalin e Durrësit. Sapo mjekët janë përpjekur ta fusnin në sallën kirurgjikale, 32-vjeçari ndërroi jetë.

Sipas burimeve, atij i shkaktoi vdekjen plumbi që kishte marrë në kokë dhe ai në gjoks. Ndërsa plaga në këmbë nuk ishte vdekjeprurëse. Pasi qëlluan me breshëri në drejtim të Bregut pa dalë fare nga makina dhe të ndihmuar nga errësira dhe koha e keqe me shi e erë të fortë, autorët u larguan të qetë nga vendi i ngjarjes duke u zhdukur në drejtim të paditur pa lënë asnjë gjurmë. Policia është vënë në ndjekje të tyre, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme autorët mbeten të paidentifikuar.

HETIMET

Menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me në krye shefin e Përgjithshëm të Krimeve, Tonin Vocajn, për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë. Policia mblodhi çdo provë të mundshme në vendin e ngjarjes, që mendojnë se do ta ndihmojë për të hedhur më shumë dritë rreth këtij atentati, ndërsa hetimet po shtrihen në disa pista. Një nga pistat kryesore ku është fokusuar grupi i hetimit është e shkuara e 32- vjeçarit, i cili disa vite të jetës së tij i ka kaluar jashtë vendit. Për shkak të problemeve në shtetin fqinj, 32-vjeçari ka ndërruar edhe emrin. Policia po i mbështet hetimet te problemet që ai ka pasur jashtë vendit, por gjithashtu po verifikohen edhe konflikte të kohëve të fundit që ai mund të ketë pasur me persona të tjerë.

Burimi: Panorama.al

Artikuj të ngjashëm

Lini një përgjigje

Qëndro i lidhur

10,969FansaPëlqeje
10,700NdjekësitNdiq
- Advertisement -

Artikujt e fundit