Reali “harron” Ronaldon/ Madrilenët vendosin rekord në futbollin spanjoll

0
2

Kampionati i La Ligës ka nisur në vitin 1929. Një e dhënë për të treguar se në kaq shumë vite kurrë nuk është regjistruar një rekord historik si ky i Realit të Madridit. Të enjten në mbrëmje, “Galaktikët” shënuan golashënuesin e 20-të në listat e La Ligës. Në stadiumin “Alfredo di Stefano” u rikthye në fushë pas një viti (në një ndeshje kampionati) Marko Asensio.

Sulmuesi spanjoll gjeti golin me një prekje dhe ishte i 20-ti lojtar që në këtë sezon ka shënuar të paktën një gol në radhët e madrilenëve. Pas 330 ditësh ai u rikthye pasi u dëmtua në turneun veror. Për këtë histori kemi folur disa herë, ndërsa tani është radha që të analizojmë golashënuesit e skuadrës së Zidanit. Kanë shënuar aq shumë lojtarë, saqë pyetja që duhet bërë nuk është: Cilët kanë shënuar, por cilët kanë mbetur pa shënuar? Kurrë më parë në historinë e kampionatit nuk ka pasur 20 futbollistë që e kanë gjetur rrugën e rrjetës në një sezon të vetëm.

Nga 25 lojtarët që ka në dispozicion Zinedin Zidani në ekipin e parë duke mos llogaritur të huazuarin Odriozola te Bajerni i Mynihut, vetëm 3 prej tyre nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës: Eder Militao, Mendi dhe Brahim Diaz. Mbrojtësi ka luajtur shumë pak (662 minuta) dhe nuk ka pasur mundësi për të zënë vendin e dyshes Varan-Ramos. Sigurisht që do të ketë shanse të tjera në këto 9 javë të mbetura për të qenë edhe ai pjesë e listës së goleadorëve madrilenë. E njëjta histori vlen edhe për Mendin, i cili po i ndan minutat me Marselon, i cili shënoi kundër Eibarit golin e tij të parë në La Liga. Brahim Diaz ka luajtur shumë pak në këtë kampionat (vetëm 23 minuta), por ai e ka gjetur rrugën e rrjetës në Kupën e Mbretit. Nëse do t’i llogaritim të gjitha kompeticionet, pra mbeten vetëm 2 lojtarë (Militao dhe Mendi) për të shënuar gol. Sigurisht, pa futur në listë portierët Kurtua dhe Areola. Një Madrid rekordesh këtë sezon. Pas largimit të Kristiano Ronaldos, skuadra vuajti shumë për të gjetur golat dhe pikërisht këtë problem e ka zgjidhur me grupin. Portugezi shënonte 1/3-ën e golave të madrilenëve, ndërsa tani është i gjithë grupi.

Leave a Reply