Raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë. Sejko në parlament: “Sfida serioze përpara, goditjet kërkojnë vendime të duhura”

0
3

Portofoli i kredive me probleme ka shënuar nivelin më të ulët në fund të vitit 2019. Sipas Bankës së Shqipërisë niveli i kredive të këqija vitin e kaluar ra në 8.4%. Por guvernatori Gent Sejko thotë se kjo ecuri rrezikon të përkeqësohet për shkak të pandemisë Covid-19.

 “Pandemia Covid-19 dhe masat e nevojshme për kontrollin e saj, kanë dhënë një goditje të fortë mbi familjet dhe bizneset shqiptare gjatë tre muajve të fundit. Ekonomia shqiptare pritet të shënojë rënie gjatë vitit 2020, rënie e cila do të shoqërohet me rritje të papunësisë, me rënie të të ardhurave familjare, si dhe me përkeqësim të situatës financiare të bizneseve dhe shtim të kredive me probleme në sektorin bankar. Kjo goditje kërkoi një reagim të shpejtë dhe të gjithanshëm të autoriteteve publike, si në planin shëndetësor dhe në atë ekonomik e social.”

Gjatë raportimit në parlament mbi aktivitetin vjetor të Bankës së Shqipërisë Sejko theksoi se për shkak të pandemisë vendin e presin sfida serioze.

“Në gjykimin tonë, ekonomia shqiptare i ka premisat ta përballojë me sukses këtë goditje. Megjithatë, kjo kërkon që të gjithë aktorët publikë dhe operatorët e sektorit privat të marrin vendimet e duhura, në kohën e duhur dhe në mënyrë sa më të koordinuar. Përballimi i goditjes është brenda mundësive tona, nëse secili nga ne do të bëjë më të mirën dhe nëse do të vazhdojmë të garantojmë me prioritet stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.”

Edhe institucionet ndërkombëtare kanë parashikuar goditje të forta për ekonominë shqiptare gjatë këtij viti. Ndërkohë që treguesit e INSTAT pak ditë më parë konfirmuan se ekonomia në fillim të vitit hyri në territor negativ.

Leave a Reply