Putini mund të marrë një mandat tjetër me ndryshimet kushtetuese

0
10

Vladimir Putin po shqyrton mundësinë e një mandati tjetër të ri si president i Rusisë nëse votuesit miratojnë ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin këtë, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve ndërsa cituan një intervistë me udhëheqësin rus të dielën.

Rusia do të zhvillojë një votim mbarëkombëtar nga 25 qershor deri më 1 korrik mbi ndryshimet e propozuara në kushtetutë, përfshi një amendament që do të lejonte zotin Putin të kërkonte edhe dy mandate të tjera gjashtëvjeçare si president, pasi të përfundojë mandati i tij aktual në vitin 2024.

Kundërshtarët thonë se reformat janë hartuar për të lejuar Putinin të mbajë pushtetin deri në vitin 2036, dhe përbëjnë një grusht shteti në kushtetutë. Kremlini thotë se reformat nevojiten për të forcuar rolin e parlamentit dhe përmirësuar politikën sociale dhe administratën publike.

“Nuk e përjashtoj mundësinë e kandidimit nëse ky variant miratohet në kushtetutë. Le të shohim”, u citua të ketë thënë zoti Putin në një intervsitë me televizionin shtetëror që u trasmetua në Lindjen e Largme të Rusisë para se të transmetohej në pjesën përndimore të vendit. “Ende nuk kam marrë ndonjë vendim p kuër veten time”.

Ndryshimet për të cilat do të votojnë rusët, të miratuara tashmë nga parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese, do t’i çonin në zero mandatet e deri tanishme presidenciale të zotit Putin. Në bazë të kufizimeve aktuale të kushtetutës ai nuk ka të drejtë të kërkojë një mandat të ri.

Ndryshimet pritet të miratohen me votime. Vladimir Putin, i cili qëndron në pushtet prej dy dekadash dhe është 67 vjeç, ka lënë të kuptohet se kërkimi i një kandidati që do ta pasonte atë mund t’i shkaktonte vështirësi vendit, nëse ai nuk kandidon përsëri.

“Nëse kjo nuk ndodh, atëherë për dy vite me radhë, dhe këtë e them nga përvoja personale, ritmi normal i punës së shumë pjesëve të qeverisë do të zëvendësohej me kërkimin e pasardhësit të mundshëm”, u citua ai nga agjencia e lajmeve Interfax. “Neve na duhet të punojmë dhe jo të kërkojmë pasardhësin”,tha ai.

Leave a Reply