21.7 C
Albania
Tue, 18 May, 2021

”Premtime boshe të qeveresë”/ Basha nga Thumana: Sot në 1-vjetorin e tërmetit zotohem se do bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund katastrofës

Kreu i PD, Lulzim Basha është zotuar nga Thumana në këtë 1-vjetor të tërmetit tragjik të 26 nëntorit të 2019 se do të bëjë gjithçka që të marrë fund katastrofa në vazhdim.

Lideri i opozitës thotë se qeveria ka dhënë premtime boshe për qytetarët e prekur nga tërmeti, pasi ende dhe sot ata janë ende në çadra në kushte të vështira.

Ai thekson se Shqipërisë i duhet një qeveri e përgjegjshme që bën gjithçka për t’ua lehtësuar dhimbjet sa më shumë shqiptarëve në raste fatkeqësisht.

PJESË NGA FJALA E LULZIM BASHËS

“Jam i vetëdijshëm sepse vazhdimisht kam qenë në zonat e goditura nga tërmeti për vuajtjet, dhimbjet, në radhë të parë të atyre që humbën të dashurit e tyre, por edhe të qindra mijëra familjeve të tjera që iu shkatërrua pasuria e një jete, shtëpitë, banesat e tyre, vuajtjet të cilat për fat të keq vazhdojnë edhe sot që flasim, ku shumica dërrmuese e familjeve vazhdojnë të jenë në kushte shumë të vështira. Një pjesë e tyre akoma në çadra, një pjesë e tyre janë futur, janë detyruar të futen në shtëpi të pasigurta, njësoj si ato që shkaktuan tragjedinë e Thumanës ku rikthimi në dy pallatet e dëmtuara nga tërmetet e mëparshme solli dhe humbjen e 24 jetëve. Gjendja e tyre ekonomike është shumë e vështirë.

Ata janë dyfish të kërcënuar nga pandemia për shkak të mungesës së elementëve bazë higjeno – sanitare, të ujit të rrjedhshëm. Ndaj sot bashkë me ngushëllimet e mia për familjet e viktimave dhe me dëshirën për t’i dhënë forcë cdo kujt në emër të të gjithë shqiptarëve dua të shpreh edhe njëherë indinjatën që një vit më pas kemi shumë fjalë dhe pak punë, kemi premtime të pambajtura dhe kemi mijëra familje që gjenden në një situatë shumë të vështirë pas tërmetit, pa banesa të sigurta, me një gjendje ekonomike të rrënuar. Dua të zotohem, sot në 1 këtë vjetor të tërmetit, se do bëjmë gjithçka që t’i japim fund kësaj katastrofe në vazhdim.

Do të bëjmë gjithçka që njerëzit e dëmtuar nga tërmeti të marrin ndihmën e merituar dhe jo vetëm fjalë e premtime boshe. E di që kjo është një ditë shumë e trishtë për mijëra familje shqiptare, e di që e sotmja i gjen me një situatë të pandryshuar për disa muaj që pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit. Kam qenë pranë tyre, i kam vizituar pranë rrënojave të shtëpive të tyre, brenda çadrave ku kanë kaluar dimrin e kaluar, verën dhe përsëri vjeshtën dhe dimrin që po vjen. Dua t’ju them që e ndiej dhimbjen tuaj, ndiej revoltën tuaj. Do bëj gjithçka që mos t’ju zhgënjej dhe t’i japim fund një politike të fjalëve, të premtimeve të pambajtura dhe të keqpërdorimit të fatkeqësisë. Dhe do bëhemi të gjithë bashkë që ju të merrni atë që meritoni dhe që vendi të ketë një qeveri të përgjegjshme, e cila ndjen dhimbjen me ju dhe bën gjithçka për ta lehtësuar këtë dhimbje përmes veprave dhe jo fjalëve boshe.”- tha Basha.

Burimi: BalkanWeb

Artikuj të ngjashëm

Lini një përgjigje

Qëndro i lidhur

11,015FansaPëlqeje
10,700NdjekësitNdiq
- Advertisement -

Artikujt e fundit