PE miraton amendamentin me 15 kushte për Shqipërinë, Ramën e tradhëtojnë dhe socialdemokratët

0
2

Me 388 vota pro, 280 vota kundër dhe 19 abstenime, Parlamenti Europian të enjten mbrëma miratoi amendamentin e Grupit të Partive Popullore Europiane me tekst: “Parlamenti Europian thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet antare”.

Amendamenti i firmosur nga eurodeputetja Kinga Gàl me kërkesën e raporterit Lega dhe me mbështetjen e koordinatorit Gahler erdhi si përgjigje e mohimit të përsëritur nga kryeministri Rama javën e shkuar të ekzistencës së 15 kushteve.

Këto kushte u vendosën nga Këshilli Europian (shtetet anëtare) me propozimin e Gjermanisë, Francës, Hollandës, Danimarkës e Spanjës në mars të këtij viti. Pro amendamentit votuan Grupi Liberal dhe ai Konservator si dhe shumë deputetë nga e majta dhe djathta pavarësisht qendrimit formal të grupeve.

Grupi Social Demokrat formalisht nuk u shpreh pro amendimit me shpjegimin se nuk duhej zbehur jehona festive e samitit të Zagrebit. Por shumë eurodeputetë socialdemokratë të prirë nga danezët dhe finlandezët votuan pro PPE. Një pjesë e nxitur nga eurodeputetët rumunë votuan kundra.

Gjatë javës së shkuar shumë eurodeputetë por edhe diplomatë europianë reaguan ndaj deklaratave të Ramës duke apeluar publikisht për domosdoshmërinë e përmbushjes së 15 kushteve sepse ndryshe nuk fillojnë negociatat.

Opozita e quajti të papërgjegjshëm mohimin e 15 kushteve nga Rama; sipas saj kjo retorikë është pengesë kryesore për integrimin europian të vendit mbas përkeqsimit të treguesve të demokracisë e shtetit ligjor. Restaurimi i normalitetit demokratike vjen duke plotësuar 15 kushtet.

Njëri prej kushteve është edhe dënimi i politikanëve që kanë blerë vota në zgjedhjet e Dibrës e Shijakut. Rama i ka marrë ata vazhdimisht në mbrojtje.

Shkresa e Grupit PPE: Dua t’ju informoj se znj. Kinga Gál si raportere hije e PPE e raportit “Rekomandime për Ballkanin Perëndimor” do të dorëzojë amendamentin si më poshtë:  “thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet antare”

Amendamenti u kërkua nga z. David Lega, raporter i përhershëm për Shqipërinë dhe ka pëlqimin e z. Gahler, koordinator i PPE në Komisionin e Jashtëm (AFET).

Leave a Reply