Nuk lëviz kurba e infektimeve dhe hospitalizimeve nga Covid-19/ Ja cilat qytete mbeten vatra të nxehta

0
42
vatra te nxehta

Rritja e testimeve të kryera në 24 orëshin e fundit ka rritur lehtë numrin e personave të identifikuar me Covid-19, ndërsa të shëruarit dhe hospitalizimet ngelin në vend numëro.

673 qytetarë u konfirmuan me Covid, por nga shifrat, shumë pak prej tyre kanë pasur nevojë për shërbim spitalor. Në katër spitalet Covid edhe dje ishin 260 pacientë, por gjendja e një numri të konsiderueshëm ka agravuar negativisht.

29 prej tyre janë në terapi intensive dhe 6 në intubim. Për fat të keq, shtatë pacientë të moshave nga 21 deri në 77 vjeç nuk ia kanë dalë dot në betejën me virusin, duke e çuar numrin e jetëve të humbura për shkak të Covid-19 në 1230.

Krahas tyre, janë me qindra ata që ia kanë dalë, numër i krahasueshëm me të enjten. Plot 436 u negativizuan dje, duke u përfshirë në afro 37 mijë rastet e shëruara në dhjetë muajt e pandemisë.

Kështu, kanë mbetur mbi 24 mijë raste aktive që në totalin e numrave të identifikuar përbëjnë afro 1/3.

Sa i takon shpërndarjes gjeografike, Tirana ka peshën kryesore, me më shumë se 60% të rasteve të konfirmuara, ndjekur nga Shkodra, Durrësi e Fieri, që numërojnë mbi një mijë qytetarë me Covid-19 aktualisht.

Apeli i Ministrisë shkon për moshumbjen e vigjilencës dhe respektimin e protokolleve.

“Respektoni rregullat për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Shmangni grumbullimet dhe ruani distancimin fizik; vendosni maska mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë; kujdesuni për higjienën vetjake. Është koha të zbatojmë me përpikëri këto tri rregulla për mbrojtjen e shëndetit”.

DENONCIMI

Epidemiologu Erion Dasho thotë se qytetarët shqiptarë janë lënë në mëshirën e virusit. 15 mijë vaksina që Bashkimi Europian ka vendosur t’i dhurojë për Shqipërinë përmes Italisë nuk arrijnë dot në destinacion për shkak se Shqipëria nuk ka logjistikën e duhur për t’i marrë, ruajtur e menaxhuar.

“15 mijë doza të vaksinës së ‘Pfizer’, të cilat janë dhuruar nga Bashkimi Europian nëpërmjet Italisë dhe qëndrojnë prej gati një muaji në frigoriferët ftohës të Institutit Spallanzani në Romë”, denoncon mjeku duke renditur arsyet përse shteti ynë nuk i tërheq dot këto vaksina.

Sipas tij, Shqipëria nuk ka kapacitetet ruajtëse për vaksinën, pavarësisht asaj çka propagandohet.

Një tjetër mangësi ka të bëjë me administrimin dhe stafin e trajnuar, që “çdo vend i përgjegjshëm e ka nisur administrimin jo nga stadiumet, por nga spitalet. Vendet europiane kanë muaj të tërë që trajnojnë stafin për mënyrën se si do ta kalojnë vaksinën nga një temperaturë -70 gradë në temperaturën e administrimit, vendin e injektimit, mënyrën etj. Trajnimi në Shqipëri nuk ka nisur ende!”.

Sipas Dashos, vaksinimi ka gjasë të përfundojë në kaos edhe për faktin që nuk ka një sistem informacioni për ruajtjen e të dhënave mbi dozat e aplikuara.

Dasho këshillon qeverinë të kërkojë ndihmë për ngritjen e logjistikës së duhur për të mos mbajtur peng vaksinat që janë në Romë e të tjera që janë rrugës.

Lini një përgjigje