“Nuk ka patur bojkot”, Shehi: Ja se çfarë ndodhi të hënën

0
9

Pas humbjes dhe tronditjes në ndeshjen kundër Laçit e bojkotit të stërvitjes së ditës së hënë nga ana e futbollistëve të Kukësit, tashmë me zgjidhjen e problemeve të financave drejtuesit dhe ekipi janë bërë bashkë për të marrë rezultate pozitive. Është trajneri Orges Shehi, i cili, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” shprehet se natyrisht që i vjen keq për humbjen në Laç, pasi u thellua diferenca me Tiranën, por sërish beson tek ekipi dhe tek arritja e objektivave e ai po punon që ekipi të përmirësohet.

Sa për problemet financiare Shehi shprehet se ai përgjigjet vetëm për anën teknike. Ndonëse nuk e pranon që ka pasur bojkot, tekniku pohon se garancia për të ardhmen janë rezultatet e mira. Ndeshja me Apoloninë? Kupa është prioritet kryesor, ashtu si kampionati.

Sa ndikon humbja në Laç dhe sa i zhgënjyer jeni për mënyrën se si ekipi u soll në fushë?
Humbja në Laç na djeg, sepse e dinim që ishte ndeshje shumë e rëndësishme. Duhet të bënim më mirë. Humbja na thellon distancën me rivalin kryesor, por duhet të punojmë për t’u përmirësuar dhe për të parë përpara.

Besoni ende se mund ta kaloni Tiranën kur kanë mbetur edhe 6 javë dhe jeni 9 pikë pas?
Unë e kam thënë dhe më parë se ne si ekip shikojmë vetëm ndeshjen e radhës. Duhet të fitojmë ndeshjen e radhës, pastaj llogaritë i bëjmë në fund. Natyrisht që kemi besim. Do të luftojmë deri në sekondën e fundit për ta fituar titullin, paçka sa pikë jemi mbrapa nga vendi i parë.

Sa kanë ndikuar problemet financiare në skuadër?
Unë përgjigjen vetëm për anën teknike, ana financiare nuk është kompetencë imja.

E prisnit që dje të bojkotohej stërvitja?
Stërvitja nuk është bojkotuar. E kishim programuar që të hënën ta linim pushim për shumicën e lojtarëve, sidomos për ata që kanë luajtur, pasi kishin marrë shumë ngarkesë fizike këto kohë, ndërsa pjesën që nuk kanë pasur shumë minuta u stërvitën në palestër.

Çfarë garancie keni marrë nga drejtuesit për vazhdimësinë?
Drejtuesit kërkojnë t’u rikthehemi rezultateve pozitive. Kam biseduar me presidentin për ndeshjen që kaloi, por dhe për t’u përqendruar te ndeshjet në vijim. Gjithsesi, garancia është vazhdimësia e rezultateve të mira, arritja e objektivave. Unë kam besim te skuadra, kemi futbollistë me mjaft cilësi.

Kupa është një objektiv më i realizueshëm?
Kupa ashtu si kampionati është trofe dhe objektiv yni. E kemi vlerësuar siç duhet çështjen e Kupës.

Nesër (sot) do të bëni rrotacion?
Do të aktivizojmë lojtarët më të gatshëm për këtë takim, por formacionin do ta vendos nesër (sot).

Leave a Reply