20.5 C
Tiranë
HomePolitikeNoka shkarkohet nga Komisioni i Sigurisë/ Spaho Bashës: Po të mblidhet litari,...

Noka shkarkohet nga Komisioni i Sigurisë/ Spaho Bashës: Po të mblidhet litari, Lul, po të mblidhet!

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho të martën i është bashkuar reagimit për shkarkimin e Flamur Nokës, si nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, duke ironizuar vendimin e kryetarit të PD-së.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Spaho shkruan se kryedemokrati Basha po sillet njëlloj si diktatori Enver Hoxha, ku pas dëbimeve nga partia, duhet të fillojë edhe me internimet.

Lul mjaft me dëbime, fillo internimet tani. Bjeru deputetëve si në ‘45. Po ndonjë pushkatim nuk do e bejmë? Nuk e bën dot Enverin ti. I pari ishte historik, i dyti qesharak dhe i mjerë. Po të mblidhet litari, Lul, po të mblidhet”, shkruan Spaho.

Përveç Spahos, në mbështetje të deputetit Noka kanë dalë më herët edhe deputetët Tritan Shehu dhe Albana Vokshi.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komunikoi të hënën shkarkimin e Flamur Nokës nga funksioni i Nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, si dhe paralajmëroi përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar.

Kryedemokrati ka akuzuar deputetin Noka se ka shndërruar mbledhjen e Kryesisë së grupit në “laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena”.

Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e PD dhe të demokratëve, duke zhvendosur vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama”, thuhet në qëndrimin e Bashës të shpërndarë nga zyra e shtypit të PD.

Përplasja më e fundit lidhet me deklaratën e bërë nga Noka për mediat lidhur me mbledhjen e kryesisë së grupit të PD, ku tha se Basha e ka quajtur “llum” bazën e PD.

Noka është një prej deputetëve që ka dalë në përkrahje të ish-kryeministrit Sali Berisha pas përjashtimit të tij nga grupi i PD duke e cilësuar vendim individual të Bashës.

Pas këtij qëndrimi, mes Nokës dhe Bashës ka pasur disa herë debate në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar të PD.

Qëndro me ne
14,000FansLike
10,779FollowersFollow
Më të lexuarat
Të tjera

Lini një koment