“Mjekët kanë besim se motra 3-vjeçe do shërohet”/ I vdiq familja në aksident, djali: Ndihem si në një film horror. Babai ishte kaq i lumtur sepse…

0
54
aksident tragjik

Mbrëmja e ditës së enjte të javës së kaluar, rezultoi tragjike për familjen Avdija nga Kosova. Katër anëtarë të saj u shuan në aksidentin tragjik të ndodhur në Rrugën e Kombit në vendin tonë.

Katër anëtarët e familjes Avdijaj nga Kosova, por me qëndrim në Zvicër, humbën jetën në vend nga përplasja fatale e automjetit të tyre me një kamion. Nga aksidenti humbën jetën Blerim Avdiaj, Anjeza Avdiaj, Klejdi Koçi (djali i Anjezës nga martesa e parë) dhe Medina Avdiaj.

Djali i madh i Blerimit, Mirsadi, i cili ndodhet në Zvicër, ka rrëfyer detaje për aksidentin tragjik nga i cili humbi familjen.

“Ndihem sikur jam në një film të keq horror. Ende nuk mund të mendoj qartë. Babai im ishte shoku im më i mirë”, është shprehur Mirsadi për mediat zvicerane.

“Unë i kam dashur aq shumë të gjithë, Klejdi ishte si mishi dhe gjaku im”, ka thënë me tej Mirsad Avdiaj.

Ai vijon më tej duke treguar se të dielën e kaluar e çoi familjen në aeroport.

“Babai donte të sillte në Zvicër vogëlushët që ende jetonin në Shqipëri. Ai ishte aq i lumtur”.

E MBIJETUARA

Ndërkohë fëmija tjetër i familjes Avdiaj, Violeta, po lufton për jetën në spital në Tiranë.

“Ajo është dëmtuar rëndë, por ishte në gjendje të thoshte disa fjalë të premten. Mjekët kanë besim se ajo do të shërohet”, thotë vëllai i 3- vjeçares.

Ndërkohë, katër viktimat e këtij aksidenti tragjik janë përcjellë për në banesën e fundit ditën e djeshme në Prishtinë.

“Tani shpresoj se ata të gjithë e kanë gjetur paqen e tyre në parajsë”, thotë Mirsad Avdijaj.

Edhe miqtë e Blerim Avdijajt ende nuk mund ta besojnë lajmin e trishtuar.

“Të gjithë jemi në shok. Unë e njoh Blerimin për njëzet vjet. Ai ishte një njeri kaq i mirë. Gjithmonë shumë shoqëror dhe i lumtur. Ne gjithmonë bënim ‘Barbecue’ së bashku dhe fëmijët tanë luanin në kopsht. Nuk u kam thënë akoma se miqtë e tyre kanë vdekur”, kanë thënë disa nga miqtë e familjes shqiptare.

AKSIDENTI

Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e datës 13 janar, kur familja Avdiaj po udhëtonte nga Kosova drejt aeroportit të Rinasit, për të vijuar më pas udhëtimin në Zvicër. Një gabim i 50-vjeçarit Blerim Avdiaj shkaktoi edhe aksidentin e rëndë.

Sipas burimeve të Policisë, Avdiaj ka tentuar të parakalojë një tjetër makinë që kishte para, teksa ndodhej në kthesë. Teksa ndërmori këtë veprim, papritur automjeti i tyre përplaset me kamionin që vinte përballë.

Përplasja ishte fatale për të gjithë familjen. Katër persona humbën jetën, ndërsa arriti të shpëtonte vajza 3-vjeçare. Kjo e fundit u dërgua fillimisht në spitalin e Rrëshenit, ndërsa prej aty u përcoll me urgjencë në Spitalin e Traumës. Sipas mjekëve, ajo ka pësuar politraumë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burimi: Panorama.al

Lini një përgjigje