9 C
Albania
Wed, 14 April, 2021

Mjalti i maresë/ Produkti me shijen e veçantë nga Shqipëria

Mjalti i Maresë është konsideruar prej shekujsh si Magjistari i Shëndetit të Mirë. Ky lloj mjalti është unik dhe gjendet me shumë vështirësi.

Mjalti me veti të veçanta mjekësore vjen nga vetëm katër vende të botës siç janë; jugu i Portugalisë, Sardenja, Shqipëria dhe Greqia.

Shija e tij është një përzierje e pazakontë e të hidhurës dhe të ëmblës të cilën e zbulon shtresë pas shtrese.

Ky tipar e bën këtë mjaltë jo të përshtatshëm për të gjithë. Ata që e preferojnë mjaltin e maresë mund të konsiderohen si tipa aventurierë, sepse shija i përngjan karamelit të hidhur.

Në Shqipëri, përgatitja e këtij mjalti është traditë shumë vjeçare e Përmetit, por jo ekskluzivitet i tij. Mareja rritet në shumë zona të Shqipërisë, kryesisht në ato të jugut.

Marea është një pemë mesdhetare që çel fruta dhe lule të vogla. Frutat ngjajnë me luleshtrydhet.

Mjalti i maresë mund të dallohet lehtësisht nga produktet e tjera së pari nga shija e hidhur dhe ngjyra bezhë.

Ky mjaltë prodhohet kryesisht nga mesi i Tetorit deri në mes të Nëntorit.

Pasi bletët prodhojnë këtë mjaltë, ai mblidhet nga hojet dhe vendoset nëpër kavanozë për një ruajtje afatgjatë.

Mjalti i maresë është prodhuar prej brezash të tërë në Shqipëri dhe është i famshëm për vlerat kuruese dhe ushqyese.

Zona e Përmetit është një ndër të paktat në Shqipëri dhe Evropë ku mareja rritet e patrazuar nëpër pyje e lëndina, dhe kjo është arsyeja përse kjo zonë siguron prodhimtari të lartë të këtij mjalti.

Por për fat të keq, migrimi urban i ditëve të sotme ka pakësuar ndjeshëm numrin e bletarëve të angazhuar në këtë aktivitet të rëndësishëm.

Mjalti i maresë prodhohet në zonat e ndërmjetme mes fshatrave të Carvovës dhe Pagrit në jug të Shqipërisë.

Atë mund ta gjeni në shitje në sasi të vogla, duke qenë se shumica e prodhojnë për përdorim shtëpiak.

Vlerat mjekësore dhe antioksidantët

Mjalti i Maresë vlerësohet për përfitimet mjekësore që ofron.

Ai është mjaft i pasur me antioksidantë dhe shija është e mrekullueshme për njerëzit që kanë guxim.

Çuditërisht ky mjaltë është i hidhur dhe i ëmbël, një përzierje që sfidon qiellzën por pasuron shijet dhe shëndetin.

Aroma e mjaltit është e thellë dhe intense. Por si çdo gjë e mirë, edhe ky mjaltë kërkon kohë për t’u shijuar dhe vlerësuar.

Ai është si një dhuratë e mbështjellë me disa shtresa që kërkon kohë, mund dhe dëshirë për t’u zbuluar.

Mjalti i Maresë përmban acid homogentistik, një acid i fuqishëm fenolik.

Antioksidantët dhe substancat anti-bakteriale të këtij mjalti e bëjnë atë të jashtëzakonshëm dhe më të fuqishmin kundër baktereve në botë. Ai është më i pasur me antioksidantë se çdo mjaltë tjetër.

Ky mjaltë nuk rrit nivelin e sheqerit në gjak dhe përdoret edhe nga pacientët që vuajnë nga diabeti.

Ai lavdërohet gjithashtu edhe për shëndetin e mushkërive.

Burimi: AgroWeb.org

Artikuj të ngjashëm

Lini një përgjigje

Qëndro i lidhur

10,984FansaPëlqeje
10,700NdjekësitNdiq
- Advertisement -

Artikujt e fundit