31.7 C
Albania
Sun, 20 June, 2021

Mes hezitimit e entuziazmit, vijon vaksinimi i mësuesve me dozat e “AstraZeneca”! Arsimtarët pro dhe kundër

E kanë pritur me padurim dhe kanë kërkuar me ngulm që të jenë ndër grupet prioritare për t’u vaksinuar, por tanimë që iu erdhi radha, mësuesit janë më të paqartë se kurrë, nëse duhet apo jo të vaksinohen.

Për disa, vendimi i komitetit të imunizimit i ka nxitur drejt vaksinimit, ndërsa mësues të tjerë kanë kthyer sytë nga autoritetet shëndetësore në Europë e botë për të hedhur hapin. Nga 30 mijë emra mësuesish e pedagogësh të veçuar si prioritarë, tanimë nuk po respektohet asnjë kriter, pas refuzimit të disa mësuesve për të injektuar “AstraZeneca”-n.

“TË PEZULLOHET”

Përfaqësuesi i interesave të mësuesve, Nevruz Kaptelli, e gjykon këtë moment si jo të duhurin. “Mësuesit e kanë pritur me padurim vaksinimin, por ky është momenti më i papërshtatshëm”. Në një dalje për mediat, kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit kërkon pezullimin disaditor, deri në qartësimin e situatës nga organet kompetente, të cilat duhet të japin garanci. “Mësuesit refuzojnë ‘AstraZeneca’-n, jo vaksinën. Nëse do të ishte ‘Pfizer’, mësuesit nuk do ta refuzonin këtë vaksinë. Unë mendoj që vaksinimi duhet të vazhdojë. Por, kur shohim që shtetet kryesore e kanë pezulluar ‘AstraZeneca’-n, do të ishte mirë që komiteti i ekspertëve ta pezullonte derisa të dilte një vendim i prerë i EMA-s.”

PRESIONET

Refuzimi me shkrim që kërkohet për mësuesit që nuk pranojnë ta bëjnë atë, sipas kreut të Sindikatës, është një formë presioni që iu bëhet atyre për t’i nxitur drejt vaksinimit. “Kjo është e tepruar. Nuk ka nevojë të kërkohet me shkrim mësuesve që në këto kushte që jemi sot, të kërkohet përse nuk dëshiron të bëjë vaksinën. A ka argument më të madh që çdo ditë po shtohet harta e shteteve të Europës që e refuzojnë vaksinën. Kur e sheh një mësues që shteti që e ka prodhuar vaksinën dhe shtetet e tjera më të rëndësishme të Europës kanë pezulluar përdorimin e kësaj vaksine dhe mësuesve i kërkohet që të japin me shkrim një arsye përse nuk do ta bëjnë. Mjafton kjo arsye. Kjo është në formë presioni, ashtu si edhe bërja e vaksinës në shkollë nën mbikëqyrjen apo nën presionin e punëdhënësit”. Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një formular të gjatë, të cilit, së fundmi i ka shtuar një faqe ku kërkohet të specifikohet jo vetëm arsyeja përse refuzon vaksinën, por edhe të mbajë përgjegjësi në rast infektimi të vetes apo personave që e rrethojnë, në shtëpi apo punë. Një gjë e tillë nuk është pritur aspak mirë ndër radhët e mësuesve.

SITUATA NË RRETHENdërsa dy ditët e para pas ardhjes së 38 mijë e 400 dozave, vaksinimi i mësuesve nuk ishte përqendruar në Tiranë, nga kjo e hënë procesi është shtrirë në rrethe ku përveç të moshës së tretë, po vaksinohen edhe mësues. Në Korçë, të parët që e nisën vaksinimin ishte mosha e tretë ata mbi 80 vjeç dhe në ditën e parë u vaksinuan mbi 30 persona dhe mësues, diçka më shumë se aq. Mësuesit e Lezhës ishin më pak skeptikë, pasi rreth 150 prej tyre pranuan dozën e parë këtë të mërkurë. Çka është me rëndësi, të gjithë ata që e kanë marrë vaksinën nuk kanë shfaqur probleme. Në Pogradec e Devoll janë thirrur rreth një mijë mësues, por nuk dihet sa prej tyre janë paraqitur. Deri tani, në Shqipëri kanë mbërritur mbi 80 mijë vaksina nga “Pfizer” dhe “AstraZeneca”. Qeveria ka parapaguar rreth 1.6 milionë doza për imunizimin e 800 mijë qytetarëve, përmes kontratave me “Pfizer” dhe mekanizmin e COVAX që ndërmjetëson vaksinimin për vendet më të ardhura të ulëta.

Artikuj të ngjashëm

Lini një përgjigje

Qëndro i lidhur

11,003FansaPëlqeje
10,700NdjekësitNdiq
- Advertisement -

Artikujt e fundit