Kosovë, qeveria vendosi të themelojë Këshillin e Ekspertëve për dialogun me Serbinë.

0
2

Aktakuza ndaj dy liderëve të UÇK-së, presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli nuk do të bllokojë dialogun me Serbinë. Në mbledhjen e qeverisë, u vendos krijimi i  “Këshillit të Ekspertëve për dialogun”. Kryeministri, Avdullah Hoti theksoi se bisedimet do t’i drejtoje vetë.

 “Pavarësisht zhvillimeve që ndodhin, dialogu nuk ka alternativë. Ne duhet të tregojmë përkushtim dhe gatishmëri si shtet që të hyjmë në këtë proces. Kosova është e përgatitur për këtë proces, është bërë një punë e madhe në qeveritë e kaluara që tash është duke u sistemuar në secilën prej temave të mundshme të dialogut i cili duhet të fillojë nga temat kryesore që është njohja reciproke. Tani jemi duke punuar që të kompozojmë një delegacion, një ekip shtetërore që do të përfaqësojë Kosovën në këtë proces. Sigurisht kryesuar nga kryeministri në bazë të kompetencave Kushtetuese”, tha Hoti.

Edhe pse nuk u përmenden emrat e këshillit të ekspertëve për dialogun, zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj tha se këshilli do të udhëhiqet nga një koordinator që njëkohësisht do të jetë edhe këshilltar i kryeministrit.

 “Propozojmë të themelohet këshilli i ekspertëve për dialog me Serbinë si zyrë e veçantë në kuadër të zyrës së kryeministrit. Këshilli i ekspertëve bënë analiza specifike dhe këshillon kryeministrit dhe qeverinë për çështjet e dialogut me Serbinë sipas temave që diskutohet. Përgatit raporte për pozicionin e Kosovës, dokumente analitike, fakto grafikë dhe të tjera sipas nevojës. Kryeministri emëron koordinatorin për dialog i cili udhëheq me punën e këshillit, njëkohësisht është edhe këshilltar i kryeministrit dhe i përgjigjet drejtpërdrejt atij”, tha Selmanaj.

Pakënaqësi shprehu ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

 “Do të kishte atribute më të larta edhe sa i përket relacioneve të brendshme. Ju e theksuat se ai do të koordinojë ehe me akademinë dhe subjektet tjera me faktorin tjetër. Por edhe në relacionet ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Në mbledhjen e qeverisë, Kabineti shfuqizoi disa vendime të qeverisë së kaluar Kurti që kanë të bëjnë me komisionin shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror.

Leave a Reply