Koronavirusi në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut

0

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka regjistruar 113 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, pas kryerjes së 266 testeve. Deri më tani, autoritetet shtetërore kanë raportuar për 2,991 persona të prekur nga Covid-19, dhe janë shënuar 45 viktima. Po në 24 orët e fundit u shëruan 67 pacientë, duke e çuar në 1,293 numrin total. Përballë përkeqësimit të situatës dhe rritjes së përhapjes së Covid-19, qeveria e Kosovës miratoi ashpërsimin e masave kufizuese. Në një vendim të ekzekutivit me 28 pika, thuhet se institucionet private duhet të mbyllen nëse rezulton ndonjë rast pozitiv me koronavirus. Gjithashtu, kërkohet që në mënyrë strikte të respektohet distancimi fizik, mbajtja e maskave mbrojtëse dhe masat higjienosanitare. Kosova nuk është i vetmi vend i rajonit që po vuan rritjen e shifrave ditore pas rihapjes së ekonomisë.

Maqedonia e Veriut vijon të raportojë bilance tepër të hidhura. Në 24 orët e fundit u regjistruan 4 viktima të moshës nga 51 deri në 64 vjeç, si dhe 120 raste të reja me Covid-19 nga rreth 1 000 testime të kryera. Lajmi i mirë është që në ditën e fundit u shëruan 123 pacientë. Që prej shpërthimit të pandemisë, ky shtet raporton më tepër se 6400 të prekur nga koronavirusi dhe 306 humbje jetësh. Situatë pak më e mirë paraqitet në Mal të Zi, edhe pse shifrat janë në rritje. 28 raste të reja u regjistruan në 24 orët e fundit, me rreth 250 raste aktive. Bilanci është rritur ndjeshëm edhe në Serbi, që raporton 272 raste të reja dhe 4 viktima në 24 orët e fundit.

Leave a Reply