25.7 C
Albania
Fri, 23 July, 2021

Komuna e Deçanit shpall gjendjen e emergjencës/ Dyshimet për helmim masiv nga uji. Qindra pacientë kërkojnë ndihmë spitalore, ndërrojnë jetë dy persona

Dy persona kanë ndërruar jetë në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit pas dyshimeve për një helmim masiv nga uji.

Mediat e Kosovës duke iu referuar burimeve nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan raportojnë se janë mbi 800 raste të cilët dyshohet se kanë pasur simptoma të njëjta dhe një pjesë e tyre kanë kërkuar ndihmë spitalore.

Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”. Ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) deklaroi dje se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshuara të baktereve.

Megjithatë, drejtori i IKSHPK, Naser Ramadani, deklaron testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator, duke shtuar se shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

Sot Komuna e Deçanit ka marrë vendim që të shpallë gjendje emergjente në gjithë territorin e kësaj njësie administrative. Në vendimin që e ka marrë kjo komunë thuhet se “obligohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për ngritjen e gatishmërisë për menaxhimin e kësaj situate emergjente të ndodhur pas helmimit të fundit”.

Po ashtu thuhet se drejtoritë si ajo e Shëndetësisë, e Financave, Drejtoria për Mbrojtje, Njësia e Zjarrfikëse, Inspekcioni, QKMF-ja si dhe KRU Hidrodrini e NPL Higjiena janë të obliguar të punojnë me kapacitete të plota njerëzore dhe humane, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të komunës së Deçanit.

Artikuj të ngjashëm

Lini një përgjigje

Qëndro i lidhur

11,003FansaPëlqeje
10,700NdjekësitNdiq
- Advertisement -

Artikujt e fundit