8.5 C
Tiranë
HomePolitikeKëlliçi: Kuvendi Kombëtar i partisë do të mbahet vetëm më 11 dhjetor...

Këlliçi: Kuvendi Kombëtar i partisë do të mbahet vetëm më 11 dhjetor dhe jo më 18

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi është i bindur që Kuvendi Kombëtar i partisë do të mbahet vetëm më 11 dhjetor, dhe jo më datë 18, siç vendosi një ditë më parë kryesia e PD.

“Ja u garantoj që do të ketë vetëm një datë, ajo 11”, tha Këlliçi i ftuar në Ditarin e mëngjesit në A2 CNN. Ai pranoi se Foltorja e mbledhur nga ish-kryetari i PD, Sali Berisha ka pasur gabime, por sipas tij ishte e vetmja mënyrë për të sjellë ndryshimin në parti. “Shpesh në Foltore është tejkaluar e drejta e fjalës, ka pasur edhe linçime. Këto janë gabime të Foltores, por ajo ka risjellë mendimin ndryshe në PD dhe është i vetmi instrument për të bërë një ndryshim. Foltorja ka sjellë Kuvendin dhe është Kuvendi që cakton kryetarin, jo Foltorja. Por të tmerruar nga foltorja ka njerëz që e shohin si shantazh atë, por unë e shoh si mundësi”.

Këlliçi hodhi poshtë pretendimet se në mbledhjen e kryesisë së PD ka pasur konfrontime fizike, por vetëm tone të larta, siç është normale, sipas tij, në një situatë të tillë.

Deputeti i PD tha se kryetari Basha ka ndryshuar me 180 gradë qëndrimin që nga dita e parë që vendosi të përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar. “Në fillim refuzoi që kishte krizë, ndërsa dje befas u mblodh kryesia për herë të parë, për të paraqitur një propozim që nuk ka vlerë, përçan PD dhe nuk është mbi 4200 delegatët e Kuvendit Kombëtar. Ky është Kuvendi i parë Kombëtar që vetëmblidhet nga delegatët. Uroj dhe jam i bindur që në fund të këtij procesi do të kemi vetëm një PD”, tha Këlliçi.

“Zoti Basha duhet të vijë me platformën e tij shteruese, të shpjegojë pse e ka marrë vendimin për zotin Berisha, të shpjegojë sesi me planin e tij PD rrëzon Edi Ramën. Se ne betejën e kemi me Edi Ramën dhe kemi humbur 2 muaj për këtë betejë. Të vijë dhe të votëbesohet. Në momentin që merr një votë më shumë se të tjerët, zoti Basha është kryetar legjitim. Sot ai e pranon që ka nevojë për një Kuvend, por ka humbur 2 muaj kohë dhe ka futur bazën në konflikt. Ky është rreziku më i madh sepse janë vetë militantët që janë në gjendje konfliktuale me njëri-tjetrin. Më mirë që ka ndodhur ky debat, që do ta demokratizojë edhe më shumë PD”.

Qëndro me ne
14,000FansLike
10,557FollowersFollow
Më të lexuarat
Të tjera

Lini një koment