Greqi: Mosmarrëveshje për energjinë e erës/ Ambientalistët dhe banorët japin alarmin

0
30
energjia e eres

Ishujt e Egjeut po përballen me ndryshime të thella. Qeveria greke ka miratuar ndërtimin në shkallë të gjerë të turbinave me erë. Ambientalistët dhe banorët po japin alarmin për dëmet e mëdha ndaj natyrës dhe turizmit.

Ishullin grek Tinos e quajnë “i punuar me dorë” për shkak të mureve shekullore dhe shtigjeve që e përshkojnë. Një trashëgimi unike kulturore, që arkitektja Ioanna Papastathopoulou do patjetër ta mbrojë. Por shtigjet historike në Tinos, ndërtuar tërësisht pa llaç, vetëm prej guri, dhe mullinjtë e erës që ngritën 300 vjet më parë paraardhësit e saj tani duhet t’u lënë vendin turbinave me erë.

Tinos

Ioanna na tregon vendin ku investitorët privatë sapo kanë përfunduar themelet për tri turbina të mëdha. Janë planifikuar edhe pesëmbëdhjetë të tjera. Ioanna dhe shumë banorë të ishullit kanë frikë se Tinos mund të humbasë karakterin e tij tipik. Si Maravelliasi, që jeton me familjen e tij në Kardiani, jo shumë larg nga turbinat e planifikuara. Sipas skulptorit kultura e Greqisë është në rrezik: “Malet kanë qenë gjithnjë selia e perëndive. Tani vendin e tyre e kanë zënë paratë, të gjitha aktivitetet vërtiten rreth parasë.” Ai na tregon video nga protestat që ata kanë organizuar. Një njësi e policisë speciale i rrahu atë dhe demonstruesit e tjerë. Një përvojë tronditëse.

Idile të rrezikuara

Dy orë larg me traget gjendet ishulli Ikaria. Ai është i njohur sidomos për natyrën e paprekur. Zona të tëra me bimë të rralla janë nën mbrojtje, veçanërisht në male.

Ikaria

Por edhe këtu idili mund të marrë fund së shpejti. Ishulli do të bëhet një nga furnizuesit më të mëdhenj me energji elektrike për Athinën. Grupi privat Mytilineos po planifikon 110 turbina me erë. Ambientalistët janë të alarmuar. “Ato do të vendosen në mes të zonave të mbrojtura për zogjtë, kjo do të jetë katastrofë. Për këtë duhet të sheshohet i gjithë vargmali. Dhe Ikaria do të bëhet zonë industriale.” – thotë Ilias Gianniris.

Planet nuk janë ende konkrete, por Ilias Gianniris ka nisur të informojë banorët e ishullit për pasojat e mundshme, sepse, Ikaria ka pasur përvoja të këqija me projekte të mëdha: dikur një luginë e lulëzuar, e ngjashme me këtë, u kthye në një peizazh hënor pasi u ndërtua termocentrali hibrid. Erozioni në ishull është tashmë i pamasë. Shpate të tëra vazhdojnë të rrëshqasin, sidomos aty ku janë ndërtuar rrugë të mëdha.

Malet e ishullit ofrojnë strehë jo vetëm për delet dhe dhitë. Edhe shumë bletarë kanë bletët e tyre këtu. Nëse këtu do të kishte turbina me erë, Vangelis do t’i duhej të lëvizte bashkë me bletët e tij: “Kjo do të ishte keq për bletët. Nuk mund t’i vendos kosheret pranë turbinave të erës sepse ka rrezatim elektromagnetik. Kjo mund të bëjë që bletët të humbasin orientimin.”

Kryetari i bashkisë, Nikos Kalambogias e kupton shqetësimin. Para nëntë vjetësh u zhvilluan bisedime me investitorë për parkun e erës e pastaj: heshtje. Kryetari i bashkisë shqetësohet gjithashtu për aktivitetet në ishujt fqinjë. Disa turbina të vogla ere, ok. Po 110?  “Ne do të protestojmë, dhe ky nuk është vetëm mendimi im personal. Të gjithë në këshillin bashkiak dhe administratën lokale janë dakord”, thotë Kalambogias. Turbinat e para janë ngritur ndërkohë dhe deri në vitin 2025 Ikaria do të lidhet me kabllo nënujore me Athinën. Deri atëherë, investitori dëshiron t’i rishikojë planet e tij dhe t’i bëjmë miqësore ndaj mjedisit. Por vështirë se dikush në Ikaria e beson këtë.

Burimi: DW

Lini një përgjigje