Fishekë në derën e shtëpisë/ 55-vjeçari tregon dyshimet: Nuk kam konflikte, ngjarja mendoj se ka lidhje me…

0
13
fishekë

Fishekët e gjetura në derën e shtëpisë së Skënder Likës, xhaxhait të Ilir Likës (Xhepa) i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenëve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika, janë sekuestruar nga Policia dhe do të analizohen në Laboratorin e Policisë Shkencore.

Policia ka dyshime se autorët kanë lënë gjurmë në 9 fishekët e gjetura në derën e shtëpisë së 55-vjeçarit në Sanxhak të Kurbinit. Po ashtu, po analizohen dhe kamerat e sigurisë të disa bizneseve në afërsi të banesës ku u gjeten plumbat për të parë nëse kanë fiksuar ndonjë lëvizje gjatë orëve të natës.

Në dëshminë e dhënë në Polici, 55-vjeçari Skënder Lika ka deklaruar se nuk ka konflikte, ndaj dyshimet janë se ngjarja lidhet me veprimtarinë e nipit dhe vëllait të tij Myslim Lika, të cilit iu bë atentat me armë zjarri pasditen e 28 janarit teksa po kthehej nga varrimi i motrës së tij.

ATENTATI I TË VËLLAIT

Ai u qëllua me tre plumba nga persona ende të paidentifikuar, duke e lënë të plagosur rëndë, por pas ndihmës së parë mjekësore e kaloi rrezikun për jetën. Ai është një personazh i njohur i botës së krimit, pasi ka qenë i dënuar me 25 vite burg për vrasje. Konkretisht, në muajin prill të vitit 2000, Lika ka qëlluar me breshëri kallashnikovi mbi shtetasin Gëzim Çeliku, bashkëpronari i firmës “Friul Alba” dhe administratorin Italian Luciano Bortolusi.

Gëzim Çeliku mbeti i vdekur në vend, ndërsa Bortolusi u plagos. Ndërsa djali i tij Ilir Xhepa (Lika) përveçse është bashkëpunëtori i Eduart Lamaj në vrasjen e dy biznesmenëve Gjergji dhe Lika, rezulton të jetë dhe autor i një plagosje me armë zjarri. Konkretisht në 15 maj 2020, ka qëlluar me armë zjarri në qytetin e Laçit në drejtim të 33-vjeçarit Zef Marku, por pa mundur ta ekzekutojë atë.

Prokuroria e Kurbinit ka mbyllur hetimet për vrasjen e dy biznesmenëve, ku nën akuzë janë 4 persona, për vrasje në rrethana cilësuese. Në lidhje me këtë krim të dyfishtë janë dërguar për gjykim katër persona, të akuzuar për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Eduart Lamaj akuzohet në rolin e ekzekutorit, ndërsa miqtë e tij, Ilir Lika (Xhepaj), Klaudio Përkolaj dhe Oltion Vlashi, akuzohen në rolin e ndihmësit në vrasje. Sipas Prokurorisë, motivet e ngjarjes mbeten të paqarta, por ka dyshime të forta se katër të akuzuarit në këtë dosje kanë pasur si qëllim grabitjen e biznesmenit Paulin Gjergji, ngjarje që përfundoi më pas në përdorimin e armës, duke qenë se edhe Bujar Lika ka qenë i armatosur. Sipas burimeve, familjarët e 4 autorëve e kanë dënuar ngjarjen e rëndë dhe në emër të tyre babai i Eduart Lamajt i ka dërguar një masazh familjes së Bujar Likës, duke i kërkuar falje në emër të 3 familjeve. Referuar dosjes hetimore, babai i Lamajt ka thënë se “gjakun e ke tek unë dhe mos e kërko në tjetër vend”. Por, në përgjigjen e tij, babai i Bujar Likës ka thënë se ajo fjalë nuk kishte vend në bazë të zakonit, pasi lajmin e kishin marrë vesh të gjithë.

Burimi: Panorama.al

Lini një përgjigje