29.7 C
Albania
Mon, 21 June, 2021

Emigrantët shqiptarë paralajmërojnë protestë në Athinë për hapjen e kufijve

Komuniteti shqiptar në Greqi ka bërë thirrje për të gjithë emigrantët që të bashkohen për një protestë paqësore në orën 18:00 në sheshin “Sintagma” për hapjen e kufijve.

“Mos na refuzoni në shtëpinë tonë”, shkruhet në statusin e Komitetit ku theksohet se emigrantët duhet të kërkojnë që të dëgjohet zëri i tyre nga qeveria greke që vazhdon të mbajë mbyllur pikat doganore duke ndaluar udhëtimin drejt vendlindjes.

Qeveria greke ka vendosur të lërë të pa ndryshuara masat dhe të mbajë të mbyllura doganat që lidhin vendin me Shqipërinë dhe Turqinë.

Vendimi u mor prej zëvendësministrit të Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Kardhalias dhe vlerësohet si tepër i ashpër dhe “dënues” për Shqipërinë dhe Turqinë, edhe pse shifrat e pandemisë në vendin tonë janë shumë herë më të ulëta sesa analogjia e Greqisë për 100 mijë banorë.

Kështu, në doganat greke nuk do të lejohen të kalojnë turistët shqiptarë deri në 14 qershor, ndërsa mbeten të njëjtat kuota për kalimet.

Ditën e mërkurë më 9 qershor, Komiteti i Ekspertëve në Greqi do të mblidhet për të lehtësuar një sërë masash, ndërsa pritet që të ketë ndryshime edhe për hapjen e kufijve apo shtimin e kuotave në pikat kufitare me Shqipërinë.

Statusi i plotë

 “Hapni tani doganat!
Mos na refuzoni shtëpinë tonë!
Edhe një herë tjetër si emigrantë shqiptarë dhe qytetarë të Greqisë ndiejmë nevojën kaq shumë të kemi një Zë të lartë, të fuqishëm dhe të fortë…! Përse qeveria greke mban mbyllur kufirin me Shqipërinë dhe ka kufizuar në mënyrë asfiktike numrin e hyrjes në Greqi, ndërkohë që me shtetet e tjera ndodh krejtësisht e kundërta?

Përse ky dallim të bëhet vetëm me shqiptarët dhe i detyron ata të gjejnë zgjidhje të tjera? Përse në këtë moment kur kufizimi i hyrjeve ndëshkon edhe vetë fermerët grekë të cilët janë në pritje të mijëra punëtorëve të kualifikuar sezonalë që vijnë nga Shqipëria?

Përse ky dallim edhe ndaj minoritarëve grekë? Përse duhet të “ndëshkohen” me mijëra biznese nga të dy anët e kufirit të cilët kontribuojnë në ekonominë e vendit? Ju bëjmë thirrje të gjithëve pa përjashtim dhe dallim, të mblidhemi më 8/06/2021 në sheshin “Sintagma” të kërkojmë të drejtat tona në mënyrë Demokratike në një protestë Paqësore.

Të dëgjohet zëri ynë nga qeveria greke, të cilës ne i bëjmë thirrje të rishikojë qasjen e padrejtë ndaj nesh, qytetarëve të saj, pasi vazhdon me penalizmin duke mbajtur mbyllur pikat doganore dhe kështu na privohet një e drejtë themeltare për të udhëtuar drejt vendlindjes dhe anasjelltas në vendin ku kemi zgjedhur të jetojmë dhe ndërtuar jetën tonë, Greqi!

I bëjmë thirrje çdo qytetari, bashkatdhetari, intelektuali, organizate, shoqate etj, të organizohemi dhe të protestojmë në mënyrë demokratike, pasi nga qeveria shqiptare nuk kemi patur asnjëherë mbështetje!
Mos mungoj askush, të gjithë së bashku më 8/06/2021 në sheshin “Sintagma”!”

Burimi: TCH

Artikuj të ngjashëm

Lini një përgjigje

Qëndro i lidhur

11,003FansaPëlqeje
10,700NdjekësitNdiq
- Advertisement -

Artikujt e fundit