EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e bojkotit për rroga te Kukësi, si refuzuan fubollistët stërvitjen e djeshme

0
1

Për të kuptuar se sa kritike është gjend ja në futbollin shqiptar mjafton bojkoti i futbollistëve të Kukësit ditën e djeshme. Po, po, pikërisht kështu. Një nga klubet më korrekte në dekadën e fundit sa u përket financave ka hasur vështirësi serioze pas pandemisë. Safet Gjici dhe klubi i Kukësit mund të jenë kritikuar për shumë gjëra gjatë këtyre viteve, por kurrë për financat.

Ka qenë një standard i panegociueshëm dhe kjo e ka bërë një ndër klubet më të pëlqyera për lojtarët elitarë të Shqipërisë. Tani situata ka ndryshuar. Pritet që gjërat të zgjidhen shpejt, por ajo e djeshmja është një sinjal se diçka duhet të ndryshojë në të ardhmen ose në të kundërt futbolli dhe sporti në tërësi do të ketë probleme serioze.

NGJARJA

Skuadra e Kukësit bojkotoi stërvitjen e ditës së hënë për shkak se futbollistët pretendonin për rroga të padhëna prej klubit. Drejtuesit e Kukësit u kanë paguar futbollistëve në fillim të muajit qershor rrogën e janarit. Pagesa e rrogës së janarit përkoi para ndeshjes me Laçin. Futbollistët, duke marrë shkas edhe nga katër fitoret radhazi, me të drejtë kanë kërkuar pagesën e muajit shkurt.

Gazeta e përcolli në numrin e datës 17 qershor se para ndeshjes me Flamurtarin futbollistët kishin kërkuar nëpërmjet drejtuesve të klubit zyrtarisht pagat e shkurtit, gjë që u ishte premtuar. Por, edhe mbas ndeshjes me Flamurtarin pagesa në fjalë nuk u krye. Ekipi në këtë kohë mori premion për suksesin e arritur ndaj Partizanit. Gjithashtu, para ndeshjes me Laçin futbollistët sërish kishin ngritur zërin për rrogat, por përgjigjja nga drejtuesit kishte qenë se rrogat dhe premioja për Laçin do të jepeshin mbas fitores ndaj kurbinasve.

Kukësi ndërkohë e humbi ndeshjen, ndërsa pagesa nuk u krye. Kjo nuk u kapërcye dot prej lojtarëve, të cilët dje kanë vendosur të ndërmarrin një hap të tillë për t’i bërë me dije klubit se kanë skaduar të gjitha afatet. Duhet thënë se humbja me Laçin turbulloi dhe më keq ujërat në kampin kuksian, ku kulmi arriti ditën e djeshme kur futbollistët e Kukësit ishin lajmëruar te grupi në “chat” për stërvitjen e radhës në orën 16:30, e cila u refuzua prej tyre.

Futbollistët kanë vepruar në bllok dhe kanë qenë në një mendje. Pati tentativa nga stafi për t’i bindur, por nuk ua ndryshuan dot mendjen. Ultimatumi i lojtarëve ishte që të paguhen ose në të kundërt as në ndeshjen e Kupës nuk do të dalin në fushë. Madje, as në kampionat. Ultimatumi është përcjellë direkt te presidenti Gjici dhe tek administratori i klubit z. Lavdrim Gjici, i cili ka kërkuar të takojë lojtarët.

SKERDILAID SULOZEQI-PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply