Disa të vërteta për testimin serologjik

0
3

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi sot (e diel, 19 korrik) se bazuar në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, do të përfshijë edhe institucionet jopublike në funksion të rritjes së kapaciteteve për përballimin e situatës. Thënë kjo, laboratorë të licensuar privatë do të lejohen të kryejnë testimin serologjik, gjithmonë pasi janë aprovuar nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Në njoftimin zyrtar, ministria shtoi gjithashtu se është planifikuar edhe fillimi i kryerjes së testimit serologjik në një kampion të popullatës për qëllime studimore të Institutit të Shëndetit Publik. Po çfarë dihet deri tani për testimin serologjik? Çfarë janë antitrupat dhe për çfarë mund të shërbejë plazma e gjakut e personave që janë infektuar dhe shëruar nga Covid-19?

Së pari, duhet të sqarojmë se çfarë është testi serologjik dhe ku ndryshon nga testimet e tjera që nxjerrin përfundimin nëse një person është – aktualisht – i infektuar me koronavirus. Ndryshe nga testimet e tjera, testi serologjik nuk tregon nëse një individ është i infektuar ose, por nëse organizmi ka krijuar ose jo antitrupa.

Sistemi imunitar i prodhon antitrupat për të luftuar viruset, bakteret ose substancat e tjera, të huaja për organizmin. Antitrupat janë specifikë për secilin “pushtues”. Sidoqoftë, trupi ynë kërkon pak kohë për prodhimin e tyre. Nëse i njëjti virus/bakter përpiqet të hyjë sërish në organizëm, prodhimi i antitrupave është më i shpejtë.

Testet serologjike për SARS-CoV-2 janë teste gjaku që përqëndrohen te plazma dhe elementet e gjakut për të parë nëse një person ka qenë i infektuar me koronavirus. Këto teste kërkojnë antitrupat që sistemi imunitar i gjeneron për të luftuar infeksionin. Pra, testet serologjike zbulojnë përgjigjen e organizmit ndaj virusit, jo vetë virusin.

Së dyti, me rëndësi është të kuptojmë saktësinë e testimeve serologjike, sepse suksesi nuk është i garantuar nisur nga fakti se jo të gjithë personat e shëruar nga Covid-19 kanë antitrupa. Në mes të prillit, zyrtarë të OBSH-së thanë se “jo të gjithë njerëzit që shërohen nga koronavirusi kanë antitrupa për të luftuar një infeksion të dytë”. Pra, pacientët mund të mos fitojnë imunitet pasi janë shëruar nga Covid-19.

Testimi serologjik, siç theksohet edhe në deklaratën e ministrisë, ka rëndësi pasi mund të informojë mbi personat që mund të kualifikohen si dhurues të gjakut, i cili mund të përdoret për të përgatitur plazmën konvaleshente. Këtu mbërrijmë në pikën e tretë dhe më të rëndësishme. Çfarë është plazma konvaleshente?

Plazma konvaleshente është një produkt që po shitet për t’u përdorur nga personat që janë të sëmurë me Covid-19. Siç e thamë më sipër, njerëzit të cilët janë shëruar nga Covid-19 mund të kenë ende antitrupa ndaj koronavirusit që qarkullon në gjakun e tyre. Injektimi i këtyre antitrupave te pacientët e sëmurë mund të ndihmojë në luftën kundër sëmundjes.

Natyrshëm lind pyetja se sa efektiv mund të jetë trajtimi i pacientëve të sëmurë me Covid-19 përmes plazmës? Nuk është hera e parë që përflitet për përdorimin e plazmës, pasi për herë të parë u diskutua në mes të shkurtit nga zyrtarë kinezë. Qasja e tyre u konsiderua si e logjikshme nga ekspertë të Live Science, webside me përmbajtje artikujsh shkencorë. Një ndër vendet që e aplikoi ishte Turqia.

Por si një pjesë e mirë e trajtimeve të përdorura për të luftuar sëmundjen pandemike, edhe plazma është parë me dyshim. Një studim i publikuar në JAMA në fillim të qershorit, i kryer nga hulumtues kinezë, tregoi se trajtimi me plazmën e personave të shëruar nuk pati ndonjë efekt. Megjithatë studiuesit u shprehën se studimi përfundoi herët për shkak të mungesës së plazmës. Në këtë pikë, duhet thënë se është ende e paqartë sa efekt do të ketë ky trajtim, të paktën për Covid-19, pasi nuk është hera e parë që përdoret plazma e gjakut. Përdorimi i saj daton që prej fillimit të shekullit XX dhe është përdorur kundër fruthit, gripit dhe Ebolës.

Së fundmi, por jo për nga rëndësia, a është një trajtim i rrezikshëm? Duhet thënë se kur përdorimi i plazmës u njoftua për herë të parë, disa ekspertë u shprehën se trajtime të tilla duhet të kalojnë së pari procesin e provave të mirëfillta laboratorike, përpara se të aplikohen te njerëzit sepse nuk dihet shkalla e efekteve anësore. Ndonëse provat që mbështesin përdorimin e saj te pacientët e sëmurë me Covid-19 janë të pakta, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e ka miratuar përdorimin e saj te njerëzit me shkallë të rëndë të infeksionit.

Po kështu, është kryer edhe një studim i rëndësishëm me 20,000 pacientë të shtruar me Covid-19, studim që është publikuar në revistën mujore mjekësore Mayo Clinic Proceedings dhe ku morën pjesë më shumë se 2,000 institucione mjekësore. Pacientët morën transfuzione të plazmës së gjakut nga njerëz të shëruar, dhe studimi tregoi se trajtimi ishte i sigurt dhe sugjeroi që përdorimi mund të jetë i dobishëm.

Leave a Reply