Alkooli dhe cigaret konsumohen më së shumti nga shtresa e mesme nga pikëpamja se, ato harxhojnë një pjesë më të madhe të buxhetit për të konsumuar këto produkte në raport me të pasurit dhe të varfrit.
Cigaret dhe alkooli konsumohen nga shtresa e mesme, ndërsa të varfrit dhe të pasurit…
Anketa e INSTAT për buxhetin e familjes ka verifikuar se, pjesa e familjeve që nuk janë as shumë të varfra dhe as shumë të pasura çojnë për konsumin e alkoolit dhe duhanit 4.6% të totalit të shpenzimeve të tyre mujore.
Në këtë mënyrë, shtresa e mesme shpenzon për alkool dhe duhan më shumë se të varfrit, të cilët çojnë për këto produkte 2,7% të të ardhurave mujore.
Shtresa e mesme gjithashtu shpenzoi vitin e kaluar edhe më shumë se të pasurit të cilët çojnë për alkool dhe cigare 4.4% të shpenzimeve mujore.
Në raport me vitin 2007, të gjitha shtresat e popullsisë kanë ulur shpenzimet mujore për konsumin e duhanit dhe alkoolit. 12 vite më parë shtresa më e varfër, ajo në kategorinë e 20 përqindëshit me të ardhurat më të ulëta, çonte 3.5% të shpenzimeve për cigare dhe alkool, ndërsa më 2019 çuan vetëm 2.7% të buxhetit mujor për këto produkte.
Ulja e më e madhe e shpenzimeve ndodhi në klasën e dytë të popullsisë, që renditet ndërmjet të varfërve dhe shtresës së mesme, të cilët në vitin 2019 çuan 3.8% të shpenzimeve mujore për alkool dhe cigare në raport me 4.8% në vitin 2007.
Me rënie të shpenzimeve për produktet jo jetike ishin edhe dy kategoritë e tjera të popullsisë shtresa e mesme dhe ajo e pasur, të cilat i ulen shpenzimet përkatësisht me 0.2 pikë % dhe 0.4 pikë % gjatë 12 viteve.
Tendenca e të varfërve për të shpenzuar më pak për alkoolin dhe cigaret lidhet me faktin se ato janë në pamundësi financiare për të konsumuar produkte jo jetike.
Ndërsa shtresa e pasur, duke qenë përgjithësisht më e arsimuar është më e ndërgjegjshme për shëndetit konsumon më pak alkool dhe cigaret. Këto janë dy produkte që dëmtojnë rëndë shëndetin, ndaj dhe qeveritë në të gjithë botën aplikojnë taksa shtesë për konsumin e tyre të tilla si akciza, pikërisht për të frenuar konsumin e tyre.
Gjatë dy dekadave të fundit, çmimet e cigareve janë rritur në mënyrë të vazhdueshme si një politikë antiduhan. Shtresat e varfra, gjatë kësaj kohe, janë orientuar ndaj produkteve më të lira.

Burimi: Monitor