31.7 C
Albania
Sun, 20 June, 2021

“Beratin, Rama ia dorëzoi një grupi oligarkësh”/ Basha intervistë për News 24: Qeverisja jonë do të jetë një qeveri e njerëzve me integritet

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një interviste për News 24, akuzoi kryeministrin Rama se Beratin dhe një sërë zonash të Shqipërisë, i dorëzoi një grupi oligarkësh.

Por kjo sipas tij, do të ndryshojë më 25 prill ku shqiptarët me votë masive do të vendosin për të ardhmen e tyre.

Duke u ndalur tek lista e kandidatëve për deputetëve, Basha tha se kishte zhvendosur disa prej tyre për shkak të indicieve me të kaluarën, ndërsa akuzon Rama se vetëm në Durrës ka tre emra përfaqësues të bandave të Durrësit. “Qeverisja jonë do të jetë një qeveri e njerëzve me integritet”- thekson Basha.

Intervista e plotë:

– Zoti Basha, keni zhvilluar një takim me qytetarë dhe mbështetës në qytetin e Beratit, por ndërkohë më herët këto javë keni zhvilluar edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Çfarë mund të na thoni diçka specifike nga komunikimi që keni patur me qytetarët që ju ka mbetur në mendje?

Lulzim Basha: Ajo që mund t’ju them në këtë moment, meqë jemi edhe buzë Osumit dhe fryn era, era që ndjej kudo ku shkoj; është era e ndryshimit. Që shqiptarët e kuptojnë se ajo që u ka ndodhur në këto 8 vite, ka qenë një aksident. Dhe se ky aksident nuk mund të përcaktojë të ardhmen e tyre, se e ardhmja e tyre është ndryshim i dhe se jemi të gjithë të bashkuar për ta bërë ndryshimin të mundshëm. Ndryshimi fillon me largimin e Edi Ramës më 25 prill dhe me kthimin e institucioneve të shtetit dhe të politikave mbështetëse ndaj njerëzve në krye të politikës së qeverisë së re. Që do të thotë një politikë për njerëzit, një politikë me fytyrë njerëzore, institucionet të hapura që u shërbejnë njerëzve. Pra, ajo që shoh është besimi që po u rikthehet fuqishëm se nuk ka asgjë mangut ky vend, nuk ka asgjë të keqe me Beratin, me Shqipërinë, por problemi ka qenë keqqeverisja dhe me 25 Prill shqiptarët janë tё vendosur t’i japin fund kësaj keqqeverisje pёr tё ndryshuar, nё mënyrë qё gjithsecili prej tyre tё rikthehet siç e meriton; aksioner i përbashkët i familjes tonё tё madhe dhe i vendit tonё tё mrekullueshëm.

– Duke parё pritjet qё ju janë bёrё nё qytetet e ndryshme tё vendit, kryeministri Edi Rama ёshtё shprehur se do marrё masa ndaj këtyre grumbullimeve qё sipas tij ju keni bёrё duke rrezikuar jetën e qytetarëve nga COVID-19.

Lulzim Basha: Rreziku mё i madh pёr jetën nё këto 8 vite ka qenë vet Edi Rama. Ky rrezik ёshtё shumëfishuar nё mënyrën se si ai e keqmenaxhoi pandeminë. Mos harroni se qytetarët e Beratit na kujtuan sot, tё Gjirokastrës dje, nuk kanё dhёnё as ndihmën mё minimale pёr bizneset shumica prej tё cilëve janë shtyrë drejt falimentit apo kanё pezulluar aktivitetin. Nuk kanё dhёnё ndihmën minimale pёr familjet qё kanё humbur vendin e për shkak të pandemisë. Ndërkohë që flasim, ka mijëra familje shqiptare që dergjen me të sëmurë me COVID, të cilëve pas insistimit tonë të fuqishëm, ju premtua rimbursim, por nuk u jepet rimbursimi dhe harxhojnë kursimet apo të ardhurat e një viti për një pacient, por kur kanё 2, kur kanë 3 pacientë. Këto janë problemet e vërteta të shqiptarëve sot dhe përgjegjësi i vetëm për këtë situatë është Edi Rama, me politikën e tij të babëzisë, të gënjeshtrës, të hipokrizisë dhe të premtimeve boshe dhe është fare e qartë që është i trembur nga kjo që po vjen, sepse është me të vërtetë bashkimi më i madh i shqiptarëve, madje do të thoja përtej ndasive politike për të vendosur edhe njëherë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit, në rrugën e përparimit dhe në rrugën e integrimit europian, që do të pamundësojë që Shqipëria të bjerë përsëri në një batak si ky i 8 viteve, ku fatet e çdo qytetari dhe familjeve mbetën në dorën e një njeriu dhe e pamë se çfarë bëri, ja dorëzoi Shqipërinë, ja dorëzoi Beratin një grupi oligarkësh, pasuroj një grusht njerëzish dhe varfëroi një popull të tërë duke çuar Beratin, Gjirokastrën, Shkodrën gjithë Shqipërinë drejt zbrazjes, drejt emigracionit. Me 25 prill kjo do të ndryshojë, sepse me 25 prill do ta kenë shqiptarët në dorë dhe me votën e tyre masive do të vendosin për të ardhmen e tyre. Ne kemi për detyrë t’ju japim planet, zgjidhjet për të cilat ata do të votojnë. Detyra ime, detyra e ekipit tonë është t’ju tregojmë se si këto potenciale të jashtëzakonshme të popullit tonë dhe të vendit tonë do ta bëjnë të mundur daljen nga kriza. Ndërsa detyra e çdo qytetari që e do familjen e vet, fëmijët e vet, prindërit e vet është të dalë më 25 prill dhe ti japi zë, ti japi forcë dëshirës për ndryshim me votë, me votën e tij, me votën e familjarëve të tij me 25 prill.

– Zoti Basha ju keni firmosur një marrëveshje me Lëvizjen Socialiste për Integrim për bashkëqeverisje pas 25 Prillit, por fushatat tuaja do të zhvillohen të ndara? Dhe për sa i përket programeve tuaja sepse ka disa pika në programet respektive ku ndryshojnë. A do të ketë njehsim?

Lulzim Basha: Nuk ka asgjë që na ndan, as ne dhe as shqiptarët. Ne na bashkon dëshira për ndryshim, dëshirë që e prek kudo. Në fakt nëse mund ta them për shumë njerëz ndryshimi ka filluar prandaj i shikoni me sytë e mbushur me shpresë. Me këtë lëvizje që ndiej kudo jam i bindur se ky bashkim do të jetë historik, në kuptimin do të jetë bashkimi më i madh i shqiptarëve dhe do të jetë një mësim i mirë për këdo që mos ta provojnë më kurrë që një njeri i vetëm apo një grusht njerëzish të monopolizojnë pushtetin, ekonominë, të varfërojnë njerëzit. Ajo që na bashkon është dëshira për ndryshim, si parti politike dhe si shqiptarë. Dhe 25 Prilli është dita e ndryshimit me votë.

-Partia Socialiste ditët e fundit ka hedhur akuza ndaj njërit prej kandidatëve tuaj në Shijak, kandidatëve për deputet, si me rekorde kriminale. A dini diçka më shumë rreth kësaj situate dhe a ka kryer Partia Demokratike atë procesin le të themi e vetëfiltrimit përpara se të listojë këta emra kandidatësh në listën e kandidatëve për deputetë në 25 prill ?

Lulzim Basha: Shiko, duhet të jemi fare të qartë, Partia Demokratike është hartuesja e ligjit për dekriminalizimin. Unë personalisht kam zhvendosur nga listat tona persona për shkak të indicieve në të kaluarën dhe do ta bëj këtë sa herë që të jetë e nevojshme dhe kjo është arsyeja se pse rast pas rasti kam kërkuar unë vetë verifikim nga autoritetet. Pra, është hipokrizi e madhe të presësh moralizim nga një forcë politike dhe nga një njeri që kriminalizoi forcën e tij politike. Sot, problemi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është kriminalizimi që Edi Rama i ka bërë pushtetit dhe forcës së tij politike. Fakti që poshtë një boje të hollë emrash kryesisht anonim vazhdojmë të kemi persona me rekorde kriminale, aleatë dhe anëtarë të listës së Partisë Socialiste. Në Durrës, vetëm në Durrës tre emra përfaqësues të bandave të Durrësit. Në Elbasan po kështu e kudo ju e patë në ditën e verës që j’ua prishi qytetarëve të Elbasanit sepse ndonëse kontrollon gjithçka e ndjen humben që e pret dhe mendon se mund të fshihet apo mund të trimërohet vetëm në praninë e bandave, e ka shumë gabim. Qeverisja jonë do të jetë një qeveri e njerëzve me integritet, një qeveri e njerëzve që do të përkushtohen vetëm për t’ju shërbyer qytetarëve të tyre.

-Partnerët tanë ndërkombëtarë veçanërisht ambasada Amerikane ka bërë thirrje disa herë që për elementë të caktuar të cilët nuk duhen të marrin pjesë në zgjedhje, a besoni se komisioni qendror i zgjedhjeve do të bëjë një punë të duhur duke eliminuar, duke i nxjerrë jashtë gare këta elementë që ambasada Amerikane i ka thënë edhe me emra?

Lulzim Basha: Tani është fare e qartë se për shkak të aleancës së Edi Ramës me krimin ligji i dekriminalizimit nuk po funksionon dhe ju e dini fare mirë që ai refuzoi edhe vetingun e politikanëve. Garancia që shqiptarët kanë është që me votën e tyre me 25 prill do të votojnë për një kryeministër dhe për një qeveri që do të bëjë vetingun e politikanëve dhe do të zbatojë ligjin për dekriminalizimin. Pa e luftuar korrupsionin, pa ndarë politikën nga krimi, Shqipëria nuk mund të ecë përpara. Nuk mund të ketë fytyrë njerëzore as kryeministri i ardhshëm, as qeveria e ardhshme nëse është peng i krimit. Prandaj është e domosdoshme të ndahemi nga Edi Rama dhe nga aleanca e tij me krimin, të votojmë për ndryshimin dhe pa diskutim Partia Demokratike dhe unë qëndrojmë garant për të bërë realitet zotimet tona dhe propozimet tona duke përfshirë vetingun e politikanëve në mënyrë që t’ia kthejmë politikën njerëzve, të kthejmë një politikë me fytyrë njerëzorë e cila ka preokupim kryesor t’ju shërbejë njerëzve dhe jo ta shkatërrojë e ta zhvat vendin siç ka ndodhur në këto 8 vite.

-Ministrat në kabinetin tuaj, a do të heqin dorë nga mandatet?

Lulzim Basha: Këto janë çështje të cilat nuk i takojnë momentit ku ndodhemi. Sot e rëndësishme është që të jemi të gjithë bashkë dhe unë ju garantoj se do të marr çdo vendim dhe do të ndërmarr çdo hap që garanton transparencë, garanton llogaridhënie të çdo deputeti apo ministri të ardhshëm në qeverinë time para qytetarëve shqiptarë. Ky është modeli europian dhe ne nuk kemi rrugë tjetër përveç rrugës europiane, të cilën unë e njoh shumë mirë. Dhe në fund të fundit zgjedhja nuk është dhe nuk bëhet, lufta, beteja nuk bëhet midis dy individëve, beteja bëhet për fëmijët e Shqipërisë, bëhet për familjet shqiptare, bëhet për ekonominë shqiptare, të cilët do të përfitojnë nga afrimi me Europën. Si do të përfitojnë? Studentët do të përfitojnë bursa për të studiuar në Europ, pedagogët do të përfitojnë mbështetje, universitetet po kështu, fermerët do të përfitojnë para nga fondet e Bashkimit Europian që prodhimi i tyre mos të kalbet por të sjellë mirëqenie për xhepat e tyre, biznesi i vogël do të përfitoj, biznesi prodhues dhe eksportues do të përfitoj, turizmi do të përfitoj, në tërësi rinia do të përfitojë nga investimet europiane. Dhe që të ndodhë kjo Shqipëria duhet të përparojë drejt Europës. Ndaj pyetja e vërtetë është kush e garanton këtë? Një njëri si Edi Rama që e la Shqipërinë, 8 vjet në vend numëro dhe nuk bëri asnjë hap drejt integrimit europiane apo një qeveri dhe një kryeministër që ka dhënë prova, siç kam dhënë provat me heqjen e vizave, siç kam dhënë provat me rolin tim në futjen, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe po kështu jam i vendosur sepse kam përvojën, kam kontaktet dhe kam vendosmërinë për ta çuar Shqipërinë përpara drejt integrimit europian. Futja e Shqipërisë në Europë, është garancia përfundimtare që asnjë politikan nuk do të luajë më rolin e një sundimtari të çartur, të një aventurieri që merr nëpër këmbë burrat dhe gratë, fëmijët, të rinjtë dhe të rejat e vendit për hir të pushtetit të tij.

– Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ditët e fundit ka hedhur në rrjetet e tij sociale hartën e Kosovës të mbivendosur edhe flamuri serb. Ditën e sotme, më në fund ka patur një reagim nga Tirana zyrtare, por cila do të jetë marrëdhënia juaj me shtetin serb dhe nga ana tjetër cila do të jetë përqasja juaj ndaj mini-shengeneit Ballkanik?

Lulzim Basha: Është fare e qartë që politika ime e jashtme do të udhëhiqet nga dy parime: nga Integrimi Europian i Shqipërisë, nga forcimi dhe konsolidimi i shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimi i saj në institucionet ndërkombëtare, si dhe ndihma ndaj Kosovës e pakursyer për integrimin e saj euroatlantik. Çdo hap që hidhet në drejtim të të kaluarës, dëmton ata që e hedhin këtë hap. Kjo është ajo që shpreha dje, ndërkohë që Tirana Zyrtare dhe Edi Rama kishin qepur gojën. Deklarata e presidentit Vuçiç, ishte një deklaratë e shekullit ët kaluar, e cila dëmton klimën e stabilitetit dhe të përparimit të vendeve të rajonit dhe shkon në kundërshtim të plotë me aspiratat e popujve të rajonit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe Kosova e pavarur do të jetë me ndihmën e partnerëve tanë strategjik dhe me ndihmën e Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare nesër anëtare me të drejta të plota në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Artikuj të ngjashëm

Lini një përgjigje

Qëndro i lidhur

11,003FansaPëlqeje
10,700NdjekësitNdiq
- Advertisement -

Artikujt e fundit