19.7 C
Albania
Sat, 19 June, 2021

Ben Ferencz – Njeriu që shkroi histori në zbatimin e ligjit

Si jurist Ben Ferencz siguroi prova në kampet e përqendrimit dhe përgatiti proceset e Nurembergut. Në vitin 1947 në moshën 27 vjeçare u bë kryeprokuror.

Benjamin Ferencz – shkurt Ben – është edhe sot njëri shumë optimist. Edhe pse ka parë dhe përjetuar gjëra të tmerrshme si ushtar amerikan në Luftën e II Botërore dhe ka qenë ndër hetuesit kryesorë të krimeve naziste. “Nuk ka kuptim të mbyteni në një liqen lotësh. Ai që qan brenda, do të bënte më mirë të qeshte së jashtmi”, thotë ai për veten në një libër aktual (“Thuaje gjithmonë të vërtetën tënde”, 2020).

Falë instiktit të tij kriminalistik prokurorët morën në dorë prova të mjaftueshme dhe dokumente të nazistëve në gjyqin e Nurembergut, që u hap më 20 nëntor 1945 kundër kriminelëve kryesorë të luftës, si Göring, Hess,von Schirach dhe Kaltenbrunner. “Pa Ferencz-in ndoshta nuk do të kishte ndodhur ky proces spektakular”, u shpreh Axel Fischer, studiues i medias, lidhur me procesin e Nurembergut në një intervistë me DW.

Fillimi si ushtar në ushtrinë amerikane ishte i pashpresë. I diplomuari i Harvardit Ben Ferencz, që kreu studimet për drejtësi falë një burse për studentët e talentuar, filloi si shkrues në Camp Davis të Karolinës së Veriut. Në atë kohë ai nuk dinte as të shkruante me makinë shkrimi as të gjuante me pushkë. Pastrimi i tualetit, larja e tenxhereve dhe dyshemeve ishin ndër detyrat e tij.

Si jurist në frontin e luftës

Në pranverën e 1944 gjendja u bë serioze për të riun. Njësia e tij luftarake u zhvendos në Angli në Luftën e Dytë Botërore. Më 6 qershor 1944, në të famshmen Dita D, ushtari amerikan Ben Ferencz zbarkoi bashkë me shokët e tij në plazhin Omaha në bregdetin e Normandisë në veri të Francës. Pushtimi i aleatëve kishte nisur dhe bashkë me të edhe fundi i dominimit nazist mbi Evropën.

Gjatë avancimit të trupave amerikane Ferencz dhe njësia e tij thyen murin perëndimor mbrojtës të nazistëve, duke luftuar në vijën e parë të frontit, dhe më vonë në pranverën e 1945 ai kaloi mbi urën e Remagen-it në lumin Rin me amerikanët fitimtarë. Më vonë ai pati thënë se ka qenë thjesht fat, që e ka mbijetuar luftën.

Pas përfundimit të luftës në selinë e ushtrisë së tretë amerikane të gjeneralit Patton kërkoheshin njerëz me përvojë, që të siguronin prova për krimet e luftës të nazistëve. Avokati i ri më në fund gjeti një punë, që i përshtatej aftësive të tij.

Jo hakmarrje, por drejtësi

Me sytë e një juristi Ben Ferencz kontrolloi së bashku me ekipin e tij zyrat naziste, zyrat e SS, dhe kampet e përqendrimit të çliruara nga ushtria amerikane, në kërkim të provave. Ajo që gjeti në Buchenwald, Dachau, Mauthausen dhe kampe të tjera e tejkaloi imagjinatën e tij për krimet mizore dhe makineritë e vrasjeve kriminale të nazistëve.

“Ishte e rëndësishme të siguroheshin prova, listat e të burgosurve, emrat e drejtuesve të kampit dhe të përgjegjësve SS”, thotë Ben Ferencz në kujtimet e tij. “Mbi këtë bazë, ne lëshonim urdhërarreste për të arrestuar njerëzit. Siguronim të gjitha provat dhe drejtoheshim tek kampi tjetër.” Gjatë rrugës ata takonin njësi të Ushtrisë së Kuqe, që i prisnin drurët shkurt me ushtarakët SS të arrestuar. Në atë moment avokati me uniformë kuptoi se për të, që vinte vetë nga një familje hebreje, nuk kishte rëndësi hakmarrja dhe ndëshkimi, por drejtësia.

Gjyqin e Nurembergut për kriminelët kryesorë të luftës të regjimit nazist, i cili filloi më 20 nëntor 1945, ai e përjetoi vetëm si spektator. Kthimi i tij në jetën civile në SHBA ishte planifikuar prej kohësh. “Në fillim të procesit radhët ishin të mbushura plot me njerëz. Publiku rrinte lart në galeri. Por gjatë gjykimit radhët erdhën duke u zbrazur. Gjermanët nuk treguan më ndonjë interes.”

I kthyer në Amerikë Ben Ferencz qëndroi fillimisht i papunë, asnjë zyrë juridike nuk donte t’i besonte atij çështje. Por një telegram nga Pentagoni e urdhëroi papritmas të takonte gjeneralin Telford Taylor, një avokat i shkëlqyer, i emëruar personalisht nga Presidenti i SHBA Truman si përgjegjës për proceset e tjera të Nurembergut. Taylor e emëroi menjëherë Ferencz-in në task forcën e tij “Germany”.

“Detyra e parë, që mora nga Taylor, ishte të shkoja në Berlin dhe të mblidhja prova për krimet monstruoze naziste atje”, kujton Ferencz në filmin dokumentar: “A man can make a difference” (2015) të regjisores Ullabritt Horn. “Shtetet e Bashkuara konstatuan se gjyqi i Nurembergut ndaj 22 nazistëve të lartë nuk mund ta shpjegonte plotësisht, se si kishte mundur të ndodhte një gjë e tillë në një vend të civilizuar si Gjermania.”

Selia e zyrës qendrore amerikane të hetimit u bë kryeqyteti gjerman i shkatërruar nga lufta. Berlini ishte ndarë në katër sektorë të veçantë nga katër fuqitë pushtuese: SHBA, Britania e Madhe, BRSS dhe Franca. Secila fuqi pushtuese kishte metodat e veta të ushtrimit të ligjit.

Por Ben Ferencz-it dhe ekipit të tij prej 50 hetuesish iu la dorë e lirë. Ata siguruan sasi të mëdha dokumentesh dhe materiale inkriminuese të burokracisë naziste. Sidomos qendra e Gestapos në Berlin rezultoi një thesar i përpikmërisë gjermane. “Ne kontrolluam sistematikisht të gjitha arkivat naziste”, tregon Ben Ferencz në filmin dokumentar. “Ato ishin një minierë ari”, shprehet ai.

Kryeprokuror në ”Procesin Einsatzgruppen”

Në pranverën e vitit 1947 një punonjës hasi rastësisht në tri dosje të trasha në dollapët e Ministrisë së Jashtme, në të cilat shkruhej “Raporte mbi ngjarjet në BRSS – raporte nga fronti i Lindjes”. “Ishin raporte të forcave speciale SS, të kamufluara nga një emër në dukje irrelevant: grupet operative, Einsatzgruppen. Askush nuk e dinte se çfarë ishte”, kujton Ferencz.

Ishte një renditje e detajuar e një programi vrasjesh, me të cilin SS vranë qindra mijëra hebrenj, sinti dhe romë në Evropën Lindore. Ben Ferencz e kuptoi shpejt rëndësinë e asaj që kishin gjetur. “Dukej si gjë pa rëndësi, por brenda mbante vula të trasha me emërtimin “çështje sekrete të Rajhut”, thotë hetuesi i suksesshëm para kameras.

Këto prova përbënë bazën ligjore për një nga gjyqet më të mëdha të vrasjeve në histori: më 15 shtator 1947 Ben Ferencz mbajti fjalimin e tij hapës në procesin Einsatzgruppen në sallën 600 të pallatit të drejtësisë të Nurembergut. 27 vjeçari ishte kryeprokurori më i ri i dymbëdhjetë gjykimeve të tjera të Nurembergut, të cilat pas vitit 1946 Shtetet e Bashkuara i vazhduan të vetme.

Të akuzuar ishin 24 burra të “grupeve SS”, të cilët përfaqësonin gjithsej 3000 anëtarë. “Unë përballesha këtu me vrasje masive. Dhe doja që këta bastardë të mos më iknin”, tha Ferencz në bisedë me DW. “Mendoja, si mund ta vendos drejtësinë? Nga njëra anë kam 24 të akuzuar dhe nga ana tjetër kam një milionë viktima, thoja me vete në atë kohë. Në një situatë të tillë nuk do të ketë kurrë drejtësi.”

Ne kontrolluam të gjitha arkivat naziste”

Vetëm katër nga dënimet me vdekje të gjykatës u zbatuan në fund. Shumë nga kriminelët nazistë në Gjermaninë Lindore dhe Perëndimore vuajtën dënime më të shkurtra, dhe disa u liruan para kohe. Lufta e Ftohtë midis Bllokut Lindor dhe Fuqive Perëndimore hodhi hijet e para mbi denazifikimin.

Iniciativa për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

Për Ben Ferencz, lindur nga prindër hebrenj në 1920 në Karpatet e Transilvanisë dhe rritur në varfëri të madhe në Nju Jork, këto përvoja në Gjermaninë e pasluftës patën një ndikim të madh. Në cilësinë e të ngarkuarit të Jewish Claims Conference, ai punoi më vonë pa u lodhur për marrëveshjen e dëmshpërblimit mes Izraelit dhe RFGJ, që u nënshkrua në Luksemburg në 1952.

Me iniciativën e tij këmbëngulëse lidhet edhe themelimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICC) në Hagë në 2002, që ndjek deri sot penalisht krimet e luftës dhe nxjerr edhe krerët e shteteve para drejtësisë. “Ai është një njeri me bindje, me parime”, thotë Fatou Bensouda, kryeprokurorja aktuale e ICC, me mirënjohje për Ben Ferencz. “Atë që bën, e bën me pasion”.

Në vitin 2010 Benjamin Ferencz-it iu dorëzua në Ministrinë e Jashtme gjermane Kryqi i Madh i Meritës së Republikës Federale të Gjermanisë për angazhimin e tij për të drejtën ndërkombëtare. Por nderimin më të madh Ferencz, tashmë njëqindvjeçar, e mori në Nuremberg, në vendin e sukseseve të tij juridike. Me një mesazh me video nga SHBA ai hapi festimet me rastin e 75 vjetorit të procesit të Nurmbergut me 20 nëntor, pas tij foli presidenti Frank-Walter Steinmeier.

Burimi: DW

Artikuj të ngjashëm

Lini një përgjigje

Qëndro i lidhur

11,003FansaPëlqeje
10,700NdjekësitNdiq
- Advertisement -

Artikujt e fundit