Avokati i shqiptares së arrestuar për vrasjen e çiftit Pasho: Fqinjët e panë duke dalë me valixhe që kullonin gjak, Elona është e shokuar…

0
128
Elona Kalesha

Federico Febbo, avokati italian i shqiptares 36-vjeçare, Elona Kalesha, e akuzuar nga Prokuroria e Firenzes për vrasjen dhe fshehjen e trupave të çiftit shqiptar Shpëtim e Teuta Pasho, ka zbardhur motivet mbi të cilat Prokuroria ka ngritur akuzat ndaj të resë si dhe qëndrimin e klientes së tij ndaj këtyre akuzave. Duke folur për RTV Ora, ai ju ka dhënë përgjigje lidhur me disa pyetje të ngritura për këtë çështje:

-Pse akuzohet Elona Kalesha? Cilat janë provat që kanë motivuar ndalimin e saj për vrasje të dyfishtë të çiftit Shpëtim e Teuta Pasho?

-Cili është sot raporti i saj me Taulant Pashon?

-A është ajo personi i fundit që është takuar me çiftin Shpëtim e Teuta Pasho?

-Cili është raporti i të akuzuarës me motrat Dorina e Viktoria Pasho?

Alba Kepi- Avokat, para së gjithash ju pyes klientja juaj Elona Kalesha është nën urdhër ndalimi apo i është zyrtarizuar udhër i arrestit me burg?

Av. Federico Febbo- Elona Kalesha ndodhet ende nën masën e arrestit me burg e deri më tani nuk është zyrtarizuar masa e ndalimit.

Alba Kepi- Elona ka vendosur të mos flasë për momentin e ju ka autorizuar ju për të komunikuar? Pse kjo zgjedhje dhe cili është pozicioni juaj ndaj këtyre akuzave të rënda?

Av. Federico Febbo- Nën këshillimin tim, bashkë më Elonën vendosëm për momentin të mos bëjmë asnjë deklaratë për mediat pasi përballë një akuze kaq të rëndë siç është masa e ndalimit për vrasje na duhet të analizojmë të gjithë dokumentacionin e autoriteteve gjyqësore. Është një dosje mjaft voluminoze e policisë gjyqësore me informacione mbi hetime të kryera gjatë javëve të fundit si dhe hetime të së shkuarës pra në 2015 pas zhdukjes së çiftit Pasho. 

Alba Kepi- E cili është pozicioni i klientes tuaj (Elona Kaleshit) ndaj akzuës së vrasjes së dyfishtë?

Av. Federico Febbo- Elona Kalesha është e suprizuar dhe e shokuar nga kjo masë ndalimi. Mohon lidhjen e saj me ngjarjen e deri tani ka preferuar të heshtë para autoriteteve të drejtësisë. Gjatë ditës së sotme pritet të merret në pyetje nga prokurori i hetimeve paraprake e do të japë qëndrimin e saj. Deri në mesditën e djeshme, datë 22 dhjetor, Elona gjendej në kazermën e karabinerëve e më pas është shoqëruar në burgun e Firenzes ku ka kaluar dhe natën. 

Alba Kepi- Janë mbi 6 ditë nga gjetja e valixheve, e ndryshe nga sa ndodhi me motrat Pasho, Elona nuk është marrë asnjëherë në pyetje si person i informuar mbi faktet, por ndaj saj u mor menjëherë masa e ndalimit. Si e shpjegoni?

Av. Federico Febba- Elona ishte e gatshme të vihej në dispozicion të drejtësisë  por me sa u kuptua, Prokuroria po ndiqte një rrugë tjetër duke e konsideruar Elonën si person nën hetim që çoi dhe në masën e ndalimit.

Alba Kepi- E cila është prova që motivon ndalimin e Elonës? 

Av. Federico Febbo-Akuza ndaj saj është bazuar në dëshmitë e disa fqinjëve në apartamentin në lagjen Novoli ku qëndruan për pak kohë Shpëtim e Teuta Pasho deri para zhdukjes. Apartamenti ishte marrë me kontratë qeraje nga Elona për prindërit e Taulantit që kishin ardhur nga Shqipëria për të takuar djalin e tyre që do të dilte nga burgu. Sipas dëshmive të fqinjëve, më ditët pas 2 nëntorit 2015 një vajzë me karakteristikat fizike të Elonës dhe shqiptare, ështe parë duke dalë nga ky apartament me dy valixhe prej të cilëve rridhte një lloj lëngu e që mendohet se ishte gjak. E në bazë të deklaratave të fqinjëve është marrë vendimi i ndalimit të Elona Kaleshit. Apartamenti në fjalë është vënë nën sekuestrim nga autoritetet gjyqësore e pritet të kryhet analizimi teknik nga ana e policisë shkencore, ku do të kërkohen gjurmë gjaku apo biologjike të çiftit të Pasho. Në vitin 2015 një rrethanë e tillë nuk pati interes por që me ngjarjet e fundit, pra të gjetjes së valixheve me trupat e çiftit, kjo dëshmi ka çuar në hipotezën e akuzës e në masën e ndalimit. Nën sekuestrim  është vënë dhe apartamenti në afërsi të burgut të Solleccianos ku jetonin dikur Elona së bashku me Taulantin. Ndërsa në banesën ku Elona jeton sot është bërë vetëm kontroli i rastit, pra në momentin kur Elona është marrë nën masë ndalimi. Po ky apartament është marrë me qera së fundmi e nuk ka lidhje fare me ngjarjen.

Alba Kepi- A është Elona personi i fundit që është takuar me çiftin Pasho?

Av. Federico Febbo- Elona deklaron se ajo nuk është personi i fundit që është takuar më Shpëtim e Teuta Pashon. Është takuar me ta ditët para datës 2 nëntor 2015, që është dhe data e daljes së Taulant Pashos nga burgu. Pra ajo e përjashton këtë akuzë dhe kjo e dhënë pritet të hetohet.

Alba Kepi – E  cila është rruga që do të ndjek mbrojtja, pra ju si avokat pas këëtyre zhvillimeve të orëve të fundit?

Av. Federico Febbo- Së pari do të përfundojmë ekzaminimin e të gjithë dokumentacionit me objektivin për të verifikuar nëse ka elemente të mjaftueshme për të mbajtur Elonën në burg. Presim kryerjen e rezultatin e ekzaminimeve nga ana e Policisë Shkencore në apartamentin ku banonin dy viktimat e do të përgatisim mbrojtjen tonë.

Alba Kepi- Avokat është folur shumë gjatë këtyre ditëve mbi raportin e Elonës me Taulant Pashon e me motrat e tij, pra me fëmijët e të ndjerëve Shpëtim e Teuta Pasho. Si ka qenë ky raport gjatë këtyre 5 viteve të zhdukjes së prindërve? Janë frekuentuar kanë komunikuar? Po gjatë këtyre ditëve të fundit?

Av. Federico Febbo- Nuk ka pasur raport mes tyre që në momentin kur është ndërprerë lidhja e Elonës me Taulantin, gjë që ndodhi më 2016 pasi Taulant u largua nga Italia drejt Shqipërisë. Secili vazhdonte jetën personale, pa një raport të veçantë komunikimi. Taulanti për motive të tjera ndodhet në një burg në Zvicër e deri më tani nuk është bërë e mundur marrja në pyetje e tij nga autoritetet italiane. Elona Kalesha aktualisht ka një partner të ri, dhe është e punësuar.  Nuk di nëse ka pasur kontakte mes tyre gjatë këtyre ditëve pas gjetjes së trupave. Por mes meje e avokatëve të tjerë deri më tani nuk ka pasur asnjë komunikim. 

Alba Kepi– A janë marrë në pyetje persona të tjerë familjarë apo të njohur pranë Elona Kaleshit?

Av. Federico Febbo- Jo, në pyetje janë marrë vetëm vajzat e familjarë të çifitit Pasho, janë marrë në pyetje fqinjët pranë banesave ku ata jetojnë, por familjarë e persona pranë Elonës nuk janë marrë në pyetje nga drejtësia italiane.

Burimi: oranews

Lini një përgjigje