Arkitekti Bjarke Ingels reagon për herë të parë pas prishjes së Teatrit: Reflektova thellë gjatë karantinës, me Bashkinë e Tiranës sot nuk kemi…

0
2

Nga Bjarke Ingels

Drama politike për shëmbjen e një ndërtese fashiste në kryeqytetin e Shqipërisë më bëri të reflektoj për rolin që ne si arkitektë mund dhe duhet të kemi në një botë së cilës i japim formë.

Gjatë dy muajve të fundit, për shkak të COVID-19, unë dhe familja ime kemi qëndruar në Kopenhagen. Kanë qenë dy muaj të mrekullueshëm – djali im një vjeç e gjysëm Darëin ka nisur çerdhen ne lagjen Yasmin dhe sëbashku me tre fëmijë të tjerë me kokore biçikletash shëtisin të lumtur në parqet e qytetit: një utopi kjo, krahasuar me në New York dhe Barcelonë ku dhe kemi jetuar qe kur lindi.

Kopenhageni është qyteti im i lindjes. Gjatë dhjetë viteve të fundit së bashku me skuadrën time projektuam katër vepra të rëndësishme këtu: një kompleks ndërtesash prej druri me çmime të përballueshme në pjesën veriperëndimore të Kopenhagenit; fermën e qytetit dhe restorantin me famë botërore NOMA në Christiania; një shtëpi për dy Pandat e Mëdha të Bardha të Kopshtit Zoologjik të Kopenhagenit dhe Termocentralin Copenhill, i cili operon me energjinë e krijuar nga djegia e mbetjeve urbane. Mëgjithëse do të kisha dashur të kisha bërë më tepër, besoj se me të katërta këto vepra kam kontribuar për vendlindjen time.

Por volumi i munguar në vepra për vendin tim më është kompensuar në artikuj shtypi. Në fillim të këtij viti, mësova në vetë të parë fjalën e re daneze “shitstorm”, kur një fotografi e shkëputur nga një vizitë zyrtare në Brazil i hapi rrugë fantazive për atë se çfarë mund të isha duke bërë me presidentin e tyre të shumëpërfolur. Historia mori fund kur u bë e qartë se unë,në fakt, nuk isha duke punuar për presidentin, por isha ftuar për të folur mbi turizmin e qëndrueshëm – një qasje që mund të sillte një ndryshim të madh në një vend si Brazili.

Para pak javësh, u bëra përsëri pjesë e makinerisë së shtypit kur prezantova një projekt të cilin e kemi punuar sëbashku me Nordic Film Cinemas në bashkëpunim me Bashkinë e Kopenhagenit. Një epiqendër e re për kulturën e filmit në zemër të Kopenhagenit. Në mendjen time, një projekt aventurier nga pikëpamja arkitekturore me rrugë nëntokësore dhe kopështe që varen. Mbase mospërputhja qëndron edhe tek fakti se ndryshe nga të tjerët kam vlerësuar muralet postmoderne të Poul Gernes-it në muret e vjetra të kinemasë që qëndron edhe sot, por nuk frekuentohet pasi nuk ofron cilësitë moderne të kinemave të tjera.

Në të njëjtën kohë në “Politiken” u publikua një foto e një polici shqiptar të veshur si për betejë duke shkelur mbi një protestues nën kryeartikullin: “Ata po luftojnë kundër ndërtesës së Bjarke Ingels”. Për të qenë më i saktë, fotografia ishte shkëputur nga protesta pasi godina, e cila kishte shërbyer si teatër kombëtar deri në 2018, ishte shembur nga Bashkia Tiranë.

Në artikull, Shqipëria dhe shqiptarët përshkruhen si shumë të korruptuar dhe prandaj BIG dhe unë jemi tepër të mirë për tu përfshirë në të tilla shtete. Lexuesit danez, në përgjithësi, i mungon thuajse plotësisht informacioni mbi jetën politike dhe ekonomike në Shqipëri, ndaj qëllimisht nënkuptohej që BIG mund të ketë bërë diçka të gabuar, mbase të jashtëligjshme, mbase imorale.

Së pari, dua të them haptazi dhe me përgjegjësi të plotë se unë kam një kompani e cila drejtohet nga njerëz profesionistë dhe të ndershëm. Të gjithë ne bëjmë maksimunin për të shqyrtuar klientët me të cilët punojmë. Shto këtu edhe mbështetjen me informacion nga ambasadat, konsullatat apo Ministrinë e Jashtme Daneze me të cilët kemi komunikuar edhe në këtë rast.

Së dyti, më duhet të pranoj që nuk fajësoj gazetarin për mënyrën e tij të të menduarit për shqiptarët, edhe pse arrogante edhe ksenofobike. Gazetari nuk e ka vizituar kurrë Shqipërinë. Unë e kam vizituar Shqipërinë për herë të parë në pranverën e vitit 2011. Si shumë të tjerë, edhe unë nuk dija pothuajse asgjë për atë vend. Një vend ish komunist që kishte qenë në izolim të plotë që prej shkëputjes nga Blloku i Lindjes në vitet ‘60 dhe që tani ishte një prej vendeve më të varfra të Evropës. Aq i varfër, sa më kujtonteskenat e filmit parodik Borat. Ishte gjithashtu vendi nga ku vinin të këqinjtë e filmit “Taken” –ata që rrëmbejnë vajzën e Liam Neeson.

Por, së fundmi, diçka interesante kishte filluar të ndodhte në Tiranë. Një numër artistësh si Olafur Eliasson, Ann Edholm, Dominique Gonzalez-Foerster dhe Franz Ackermann ishin ftuar për të dekoruar qytetin e vjetëruar, në një përpjekje për të krijuar një rinovim urban alternativ.

Projektet e shtrenjta dhe të komplikuara ishin të papërballueshme për Tiranën, prandaj Edi Rama, Kryetari i Bashkisë, një artist me profesion, besonte se transformimi mund të ndodhte me një kovë me bojë dhe shumë krijimtari. Ishte një ide sa e guzimshme aq dhe e freskët.

BIG u ftua në një konkurs për projektin e Xhamisë së qytetit si dhe një Muze të Tolerancës. Në konkurs merrnin pjesë edhe Zaha Hadid edhe studioja daneze SEARCH. Qëllimi ishte që besimit mysliman t’i jepej njëprani po aq e dukshme në peisazhin e kryeqytetit shqiptar, sa edhe besimit të krishterëapo hebraik. Pas rënies së komunizmit, ata ishin të vetëdijshëm për pozicionin unik të Shqipërisë mes veriut, jugut, lindjes dhe perëndimit. Një kulturë që mund të integronte shumë besimefetare ishte një oaz i bukur për Evropën ku polarizimi etnik dhe kulturor ka pësuar vetëm rritje.

Siç pritej, Tirana ishte qartazi një qytet me sfida financiare ku shumica e rrugëve ishin të pashtruara,e sheshi qëndror “Skënderbej” ishtë një rrethrrotullim pa qëllim. Por, optimizmi mbizotëronte mbi varfërinë. Përfaqësuesit e bashkisë ishin shumë të rinj e komunikonin direkt me Kryetarin e Bashkisë. Dukej qartë që shihnin një mundësi të vërtetë për t’i dhënë formë të ardhmes së tyre me anë të përpjekjeve dhe nismave që ata vetë ndërrmernin. Ishte frymëzuese!

Ne e fituam projektin. Koha ishte jashtëzakonisht e shkurtër, buxheti i ndërtimit mikroskopik dhe pagesa tragjikomike. Megjithatë ndjemë që aty diçka po ndodhte dhe se së paku kaq i detyroheshim rinisë shqiptare.

Zgjedhjet lokale ishin shumë afër. Qeveria e vendit në atë kohë drejtohej nga Partia Demokratike e krahut të djathtë dhe Edi Rama ishte nga Partia Socialiste. Në numërimin e parë të votave, Partia Socialiste fitoi me 10 vota. Qeveria njoftoi se do të bëhej një rinumërim dhe kandidati i së djathtës fitoi me 84 vota. Kjo shkaktoi demonstrata dhe trazira të dhunshme që zgjatën me javë të tëra.

Qeveria e re e krahut të djathtë e copëtoi projektin. Nuk do të kishte më Muze të Tolerancës dhe do të ndërtohej një xhami tradicionale me minare në vend të projekteve tona. Ishte mbresëlënëse të kuptoje se sa dhunshme dhe e beftë ishte kjo demokraci e re, por gjithashtu është e kuptueshme që liritë e sapogjetura të merren seriozisht e me një pasion të egër, të panjohur për ne në Danimakë, ku shpesh demokracinë e marrim për të mirëqënë. Une u ndjeva shumë keq (por dhe i lehtësuar) që angazhimiynë ndaj rindërtimit të Shqipërisë kishte përfunduar ende pa filluar.

Por në vitin 2013, mora përsëri një ftesë nga Edi Rama, tashmë kryeministër. Sëbashku me kuratorin Ulrich Obrist, na ftonte në një simpozium ku përkrah artistësh, kineastësh, shkrimtarësh, arkitektësh e urbanistësh do të hidhnim ide për zhvillimin Shqipërisë.

Tre vite më vonë u ftova sërish në Tiranë. Këtë herë, me ftesë të një Kryetari Bashkie tëri socialist – Erion Veliaj. Ai ndau me ne planet e shumta që kishte për qytetin dhe na inkurajoi për të parë disa mundësi zhvillimi si pjesë e procesit të rigjallërimit të qendrës tanimë të vjetëruar të qytetit. Veliaj dhe skuadra e tij kishte plane për tëndërtuar një stadium; një Pazar; hapsira të reja për biznes dhe strehim dhe pranëSheshit Skënderbej një teatër të ri kombëtar. Projekti planifikohej të zhvillohej në formë PPP-je, një partneritet publik privat, ku një zhvillues privat merr përsipë të bëjë një projekt për publikun kundrejt një tarife fikse, pagese apo qeraje, për të cilën është rënë dakort paraprakisht. Një formë tenderi që përdoret shpesh në Danimarkë. Për shembull, Østre Landsret i ri në Danimarkë është rezultat i një PPP-je për Autoritetin Danez të Ndërtimit me furnitor A. Enggaard dhe Henning Larsen dhe Norconsult si konsulent.

Sheshi, në atë kohë po rinovohej nga arkitektët etalentuar belgë të 51N4E, por puna u vonua nga demonstrata të dhunshme të organizuara nga opozita politike. Pavarësisht kundërshtisë, sheshi sot ka përfunduar dhe është një hapësirë urbane tejet e populluar e plotë jetë, e cila e ka transformuar tërësisht kryeqytetin. Për më tepër, është nominuar për Çmimin Evropian të Arkitekturës, Mies Van der Rohe, që është çmimi më i madh për arkitekturën në Evropë. Megjithëse u ndërtua në një kohë konfliktesh të ashpra, është e qartë për të gjithë sot se në Tiranë jeta urbane ka fituar mbi gjithçka.

Gjatë vizitës sonë u takuam gjithashtu me përfaqësues të Fusha sh.p.k – kontraktori vendor i Sheshit Skënderbej dhe ramë dakord që të bashkëpunojmë për një nga projektet publike të qytetit – atë të teatrit. Në vjeshtë të vitit 2017, nënshkruam një kontratë për të projektuar teatrin kombëtar si pjesë e një zone zhvillimi me disa funksione urbane.

Fillimisht vizituam godinën ekzistuese të teatrit. Aty mungonte një nën skenë dhe një kullë skenike, skena anësore dhe në përgjithësi gjithë infrastruktura e përshtatshme për funksionet e teatrit sepse në fakt nuk ishte projektuar kurrë si i tillë. I ndërtuar për argëtimin e ushtarëve fashistë në kohën kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia e Musolinit mes viteve 1939 – 1943, godina nuk ishte kualifikuar kurrë si e mbrojtur.

Duke qenë se as unë dhe as kolegët nuk ishim ekspertë të arkitekturës fashiste dhe sidomos kur s’mund të jesh asnjëherë tepër i sigurt me ndërtesat historike, përgatitëm dy skica të ndryshme për një teatër të ri: njëra që ruante ndërtesën ekzistuese dhe një tjetër që fillonte nga zero.

Ndërtesa ekzistuese ishte tej mase e ngushtë, vetëm 12 metra gjerësi, thuajse e pamundur për të akomoduar një skenë teatri e cila me standardet e stome duhet të jetë sëpaku 3 herë më e gjerë. Zgjidhja ishte ngritja e skenës mbi barakat e vjetra të ushtarëve për të vendosur teatrin si një kryq tre dimensional të ngulur në strukturën ekzistuese. Një sistem koordinativ Kartezian me teknikë skene të konfiguruar. Duket e egër, brutale por mbase mund të ishte e shkëlqyer.

Për propozimin e dytë, zgjodhëm një teatër që shtrihet përgjatë truallit në mënyrë të tillë që të krijojë hapësirë maksimale për funksionet e teatrit. Ndarja e mesit hapet nga veriu, kështu që kalimtarët mund të shohin shfaqjet qe pregatiten – është sikur të hapim kapakun e motorrit të teatrit dhe ta shohim gjatë punës. Në jug, holli dhe dy skenat eksperimentale hapen drejt parkut të Muzeut Kombëtar.

Auditori i madh formon një urë midis pjesës përpara dhe asaj mbrapa dhe është i ngritur në mënyrë që të krijojë një shesh të mbuluar me fytyrë nga rruga dhe duke u kthyer mbrapsht për tu hapur në një amfiteatër të jashtëm në tarracë. Dy fasadat e hapura paraqesin jetën e tyre të brendshme, si një shtëpi kukulle që sheh nga qyteti. Dy fasadat e mbyllura ngrihen si një portal ndaj lagjes që qëndron nëntë, si një motër shqiptare e skenës Stærekassen të Teatrit Mbretëror të Kopenhagenit.

Në fillim të pranverës së vitit 2018, u ftuam në Tiranë për të prezantuar idenë. Aty morëm përgjigjet që kërkonim për të harruar variantin mbi barrakat e vjetra të cilat nuk kishin asnjë vlerë historike apo arkitektonike. Kështu përqendruam të gjitha energjitë tona në krjimin e një skene kombëtare të denjë për artin shqiptar.

Drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Culi dhe regjisori Altin Bashana ndihmuan me detaje specifike dhe në dy vitet në vazhdim, zhvilluam një koncept të plotë i cili rezultoi në aprovimin e 101 nga 103 artistëve të Teatrit Kombëtar. Një skenë e re kombëtare po merrte formë.

Në fund të vitit 2019, Fusha sh.p.k fitoi thirrjen publike për PPP. Për të siguruar rendimentin e projektit, Fusha rishikoi përmasat e projektit në tërësi. Ne u dakordësuam që BIG do të përqëndrohej në çuarjen përpara të projektit të Teatrit dhe një arkitekt lokal do të vijonte me projektimin e ndërtesave të tjera.

Në shkurt 2020, Fusha doli në përfundimin se nuk mund ta realizonte projektin e Teatrit sipas specifikimeve të kërkuara dhe bashkia vendosi të zbatojë projektin tonë ku në vend të palës private kontraktori do të ishte Bashkia Tiranë dhe shteti Shqiptar. Në Maj 2020 ndërtesa e vjetër u shemb dhe unë lexoj në gazetën Politiken që jam sërish pjesë e një “shitstorm”-i.

Sot nuk kemi ende një kontratë me bashkinë Tiranë. Ajo që kemi quhet shpresë, sepse kemi projektuar një teatër tërësisht transparent dhe një skenë kombëtare ndërvepruese për të gjithë publikun shqiptar. Kemi projektuarnjë ndërtesë të thjeshtë, të drejtpërdrejtë, por mbi të gjitha kemi projektuar kornizën e kulturës moderne të teatrit shqiptar.

Ky nuk është një projekt prej të cilit BIG përfiton pasi në fakt do të na kushtojë – rrogat daneze e tejkalojnë atë që mund të paguajë një klient publik shqiptar. Ky nuk është as një projekt që na sjell lëvdata pasi deri tani jam ‘lëvduar’ në gazetën daneze Politiken si nxitës dhune dhe korrupsioni.

Tirana po kalon një transformim kaq të nevojshëm dhe që siguron strukturën bazë e zhvillimit të jetës urbane dhe kulturore për shumë nga shqiptarët të cilët vitet e fundit kam pasur rastin t’i njoh më mirë. Ata po ecin në procesin e pranimit në BE, me nje popullatë të re, plot ëndrra dhe ide e që mund ta bëjnë Evropën më të pasur shumëngjyrëshe.

Do të ishte mendjengushtësi dhe arrogancë të konsideroje shtetin mik Evropian si të korruptuar dhe të padenjë për të bashkëpunuar. Megjithëse është e veshtirë dhe pa përfitim, unë mendoj se është përgjegjësi për ne si arkitektë, si krijues. Nuk besoj se ne duhet të punojmë vetëm në vendet tona ku të vijojmë të ndërtojme edhe nje tjeter fasadë te rregullt e te parashikueshme njesoj si e para, njesoj si qindra të tjera.

Unë do të vazhdoj të bashkëpunoj me ata që rrezikojnë shumë më tepër se ne këtu në Danimarkë dhe t’u jap një dorë në përballjen me sfidat e tyre, rigjallërimin e vizionve që kanë dhe realizimin ëndrrave për të ardhmen.

Njësoj do të vazhdoj të ndihmoj edhe qytetin tim të lindjes për t’u zhvilluar në qytetin që unë dhe bashkëqytetarët e mi e ëndërrojnë. Mbase nuk do të biem dakord mbi çdo gjë, por janë pikërisht mendimet e ndryshme që na ndihmojnë të ndërtojmë qytete interesantë dhe plot jetë.

*Përkthyer nga versionin origjinal botuar në të perditshmen Politiken, Copenhagen, Danimarkë

Leave a Reply