Apartamente, biznese dhe tokë në Tiranë e Vlorë/Ja pasuria me vlerë 2.1 mln euro që sekuestrohet , nga dy të huaj me rekorde kriminale

0
58

Një pasuri me vlerë 2.1 milionë euro është vënë nën sekuestro preventive. Sipas Policisë së Shtetit, pasuria i përket dy shtetasve të huaj me rekorde të theksuara kriminale.

Në kuadër të operacionit të koduar “Asetet” u sekuestruan pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personave me iniciale  H. L., 50 vjeç, lindur në Junik të Kosovës dhe banues në Olten të Zvicrës dhe R. (A.) S., 47 vjeç, lindur në Poloni dhe banues në Olten të Zvicrës.

Pasuritë e sekuestruara
1-Tre apartamente në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
2-Njësi tregtare e ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
3-Sipërfaqe toke, afërsisht 5.500 m2, në Radhimë, Vlorë;
4-Asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave;
5-Llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë, në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane;
6-Gjashtë automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit;

Një vit hetime
Operacioni u zhvillua pas një viti hetimesh nga Policia e Tiranës, Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në funksion të procedimit penal të regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pas provave të grumbulluara.

Po kush janë dy personat me rekorde kriminale? Policia thotë se kosovari me iniciale H.L është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”. Ky shtetas është i njohur për veprimtari kriminale në Zvicër, pasi është dënuar nga Gjykata e Olten-Gosen/So, më datë 26.11.2011, për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”,“Shkelje e ligjit për armët”, të ndodhura në kohë të ndryshme. Ndërsa shtetasi polak R. (A.) S. është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”.

Ndërkohë vijon puna për të zbuluar asete (prona) të tjera që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve, të cilat mund t’i kenë në emër të personave të tjerë apo të bashkëpunëtorëve në këtë aktivitet kriminal.

Leave a Reply